E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria prezanton në Berlin potencialin e investimeve për biznesin gjerman

TIRANË, 30 prill /ATSH/ Në ambientet e Haus der Deutschen Wirtschaft në Berlin u zhvillua sot konferenca e biznesit Gjermani–Shqipëri, një aktivitet që mblodhi përfaqësues institucionalë dhe sipërmarrës nga të dy vendet, me fokus forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e investimeve.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), e cila organizoi workshop-in me temë “Mundësitë dhe Lehtësitë për Investime në Shqipëri – si dhe Mbrojtja e Investimeve”.

Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s, Laura Saro, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e Gjermanisë si një partner strategjik ekonomik për Shqipërinë dhe rolin e AIDA-s në mbështetjen e investitorëve të huaj.

“Gjermania mbetet një ndër partnerët më të rëndësishëm ekonomikë për vendin tonë. AIDA është e angazhuar për të promovuar Shqipërinë si një destinacion tërheqës për investime dhe për të ofruar mbështetje të plotë për investitorët në çdo fazë të procesit”, u shpreh Saro.

Gjatë workshop-it u prezantuan zhvillimet kryesore ekonomike në Shqipëri, sektorët me potencial të lartë zhvillimi, infrastruktura strategjike si dhe instrumentet mbështetëse për investitorët e huaj.

Konferenca shërbeu si një platformë për shkëmbimin e ideve dhe krijimin e kontakteve të reja, duke nxitur interesin e biznesit gjerman për projekte konkrete dhe bashkëpunime në sektorë prioritarë të ekonomisë shqiptare.

1 nga 6

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›