E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Dyfishim i pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe bonus për bebet deri në 5 vjeç

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Ministri i Financave Petrit Malaj, në prezantimin e projektbuxhetit 2027 sot në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, deklaroi se krahas pensioneve, buxheti forcon edhe politikat e mbrojtjes sociale, me fokus te fëmijët, familjet dhe kategoritë më në nevojë.

“Synimi ynë është që mbështetja publike të jetë më e drejtpërdrejtë dhe të ndihmojë në përballimin e nevojave të përditshme”, tha Malaj.

Ndër masat kryesore, ministri Malaj përmendi dyfishimin e pagesave për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe njohjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e tyre.

“Vijimin i bonusit të bebeve, por këtë herë përmes mbështetjes mujore deri në moshën 5 vjeç, ku vlera rritet progresivisht për fëmijën e parë, të dytë dhe të tretë. Rreth 1,3 miliardë lekë në vit për shërbimet sociale dhe strehimin e përballueshëm. Do të vijojë kompensimi nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në 48.000 lekë për familjet me fëmijë nën 18 vjeç”, deklaroi ai.

Malaj tha se “këto masa shprehin drejtimin social të projektbuxhetit 2027, mbështetje më e madhe për pensionistët, më shumë kujdes për familjet dhe mbrojtje për qytetarët që kanë më shumë nevojë”.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›