Projektbuxheti 2027, 87,2 miliardë lekë për shëndetësinë, 1 miliard lekë shtesë për barna dhe pajisje mjekësore

TIRANË, 29 tetor /ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se shpenzimet për shëndetësinë në projektbuxhetin e vitit 2027 parashikohen në 87,2 miliardë lekë, me një rritje prej 5,6 miliardë lekësh krahasuar me vitin e kaluar.
Gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2027, Malaj tha se financimi synon përmirësimin e aksesit në shërbimet shëndetësore dhe forcimin e mbështetjes për pacientët, përmes shtimit të fondeve për barnat, pajisjet mjekësore dhe investimet në infrastrukturën spitalore.
Masat kryesore, sipas Malajt, janë 1 miliard lekë financim shtesë për barnat dhe pajisjet mjekësore, në mbështetje të shërbimeve spitalore dhe kujdesit shëndetësor parësor e dytësor; trajtimin me receta të rimbursueshme për 400 mijë pacientë dhe rehabilitimin dhe ndërtimin e 20 spitaleve në vend.
“Këto fonde synojnë të përmirësojnë ofrimin e shërbimeve shëndetësore dhe të mbështesin qytetarët përmes furnizimit me barna, pajisjeve mjekësore dhe investimeve në infrastrukturën spitalore”, tha Malaj.
/e.i/j.p/r.e/