E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Jam vetëlarguar nga forumet drejtuese të PS-së, zgjodha lirinë e mendimit

TIRANE – Një ditë pasi Asambleja e PS-së vendosi që Taulant Balla të zëvendësojë Arben Malajn në kryesinë e partisë, ish-deputeti socialist sqaron se është vetëlarguar nga forumet drejtuese të Partisë Socialiste.

Përmes faqes së tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Arben Malaj shprehet: “midis një karrige dhe lirisë për të menduar i lirë kam zgjedhur përherë këtë të dytën”.

“Në përgjigje të disa miqve dhe kolegëve, duhet të qartësoj se nuk jam më anëtar i forumeve drejtuese të PS-së. Unë u vetëlargova nga ai nivel përfaqësimi. Për detyrimet mirënjohëse ndaj socialistëve dhe vendit tim kam shumë mundësi konkrete t’i përmbush me dashuri dhe përgjegjshmëri.”- shkruan Malaj.

Më tej, Malaj thekson se deri në shtator do të respektojë statusin e deputetit dhe do të përmbushë detyrimet kushtetuese, ndërsa bën me dije se më pas do të jetë i angazhuar në pjesën akademike dhe studimore për politikat publike dhe mirëqeverisjen.

Deputeti i Librazhdit, Taulant Balla që prej ditës së djeshme është pjesë e kryesisë së PS-së. Pas suksesit dhe fitores së zgjedhjeve, në këtë qytet, Balla është propozuar nga kryetari i PS-së, Edi Rama që të jetë anëtari më i ri i kryesisë dhe të zërë vendin që mbeti bosh, nga Arben Malaj.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›