E Diel, 1 Nëntor 2026

Malaj: Jo ftesa në FB, por programe konkrete pune

TIRANE- Ish-deputeti i Partisë So cialiste, Arben Malaj, njëherazi ish-ministri i Financave, u sugjeron ministrave të rinj që të kërkojnë ndihmën e ekspertëve të fushës, sipas dikastereve përkatëse, më mirë se sa të bëjnë ftesa në “Facebook”. Pa përmendur emra, Malaj shprehet në përgjithësi se: “Dokumente konkrete si draft programi i qeverisë dhe drafte strategjitë sipas prioriteteve dhe ministrive mund të ndihmojnë për kontribute më të plota dhe të vlefshme, se ftesat nëpërmjet FB”. 

Një ditë më parë ishte ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili ftoi miqtë dhe mbështetësit në “Facebook” që të sugjerojnë se çfarë duhet reformuar tek Policia e Shtetit. Ndërsa dje Malaj shkroi po në rrjetin social “Facebook”: “Duhet të studiohen strategjitë aktuale, sipas prioriteteve dhe ministrive. Duhen studiuar raportet ndërkombëtare për këto prioritete, për luftën kundër krimit të organizuar, për trafikun e drogës dhe njerëzve, për korrupsionin, për pronat, për administratën publike”. Ai sugjeron se: “Duhen studiuar raportet e projekteve ndërkombëtare sipas ministrive konkrete, raportet vjetore sipas donatorëve, ku mund të gjenden analiza edhe të vlefshme për të qartësuar problematikën dhe rivendosur prioritetet”. “Partitë politike duhet nëpërmjet komisioneve (që vlerësohet të jenë simetrike me strukturën e qeverisë), që në opozitë identifikojnë ekspertët e fushave përkatëse, rendit, energjisë, shëndetësisë, arsimit, financave, bujqësisë, turizmit etj., të cilët mund të jenë ekipe të bërthamave këshilluese për strategjitë dhe implementimin e tyre”, shprehet më tej në komentin e tij ish-ministri i Financave, Arben Malaj. Sipas tij, “shoqëria civile ka ekspertët e saj publikë që kanë bërë studime apo janë përfshirë në mënyrë profesionale në debatet publike për fushat dhe prioritetet përkatëse”. 

Malaj sugjeron se “duhet ndërtuar forumi edhe on-line i ekspertëve të fushave përkatëse që azhornohen me çdo dokument të ri të qeverisë, donatorëve, qendrave universitare e kërkimore-shkencore për të qenë sa më konkretë dhe të dobishëm me kontributet e tyre”. “Duke i bashkuar dhe harmonizuar ekspertët me studimet dhe strategjitë, krijohen premisa për të ndërtuar program qeveritar dhe strategji kombëtare sipas fushave përkatëse që ndihmojnë eliminimin e vonesave, eliminimin e mbivendosjeve, eliminimin e çorganizimeve si parakushte për të maksimizuar efektet e qeverisjes së re”, përfundon komentin e tij, ishdeputeti i PS-së, Arben Malaj. Në dy ditët e fundit, disa prej ministrave të rinj kanë shkruar mesazhet e tyre të falenderimit për mbështetësit në “Facebook”. Ndërsa ministri i ri i Brendshëm, Saimir Tahiri, veç falenderimit ka hedhur në ‘FB’ edhe kërkesën për të thithur prej miqve të tij, edhe një mendim se si do të dëshironin ta shihnin Policinë e Shtetit.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›