Malaj: Katër çështjet që diskutova me FMN-në
Pas amnistisë fiskale dhe debatit për borxhin, lajm më vete dje ishte prania në Komisionin parlamentar për Ekonominë i deputetit socialist, Arben Malaj, duke thyer në një farë mënyre bojkotin 6-mujor. “Pjesëmarrja ime në këtë takim është edhe një detyrim mirënjohës për bashkëpunimin efektiv që ne patëm me FMN-në gjatë 8 vjetëve të qeverisjes së PS-së, duke menaxhuar me efikasitet programin e rigjallërimit të ekonomisë shqiptare pas krizës së rëndë të viteve 1996-1997 dhe duke i kthyer vendit ritmet e larta të rritjes ekonomike, reduktimin e varfërisë dhe rritjen e mirëqenies”, ishte sqarimi i Malajt dhënë “Shqip”-it. Sa i takon takimit me FMN-në, ish-ministri socialist i Financave deklaron se kishte trajtuar katër çështje që lidheshin me rritjen ekonomike, borxhin, financimin e deficitit si dhe amnistinë fiskale. Sa i takon borxhit dhe buxhetit, Malaj tha se “është shqetësues fakti që qeveria vetëm dy muaj pasi miratoi me ligj buxhetin do ta rishikojë duke shkurtuar rreth 25 miliardë lekë, nga të cilat 80% janë shkurtim i investimeve. Në një këndvështrim afatgjatë,ne duhet të harmonizojmë sa më mirë politikat tona fiskale, duhet të ndalim riskun e rritjes së konsiderueshme të kostos së borxhit dhe duhet të mos bëjmë rritje të shpenzimeve mbi rritjen e rritjeve të ekonomisë, pasi kjo do të dëmtojë produktivitetin e ekonomisë sonë”. Lidhur me amnistinë fiskale, deputeti i PS i ishte drejtuar me shqetësim shefit të FMN-së se, “amnistia fiskale nuk duhet parë nga qeveria si një formulë magjike për të formalizuar ekonominë, apo për të rritur në mënyrë të përhershme të ardhurat. Risku i saj mbetet në fenomenin e ripërsëritjes së saj. Duhet që amnistia fiskale të mos jetë një inovacion spontan i qeverisë shqiptare, por të bëhet në konsultim të plotë me FMN dhe BE, për të reduktuar në maksimum të gjitha risqet dhe pasojat që mund të ketë një aplikim spontan i saj”.
#