E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transferimet, kërbaçi mbi kokën e mësuesve

Drejtoritë arsimore vendosin për shpërndarjen e mësuesve në qytete apo në fshatra

Ajo së cilës mësuesit i tremben më shumë nuk janë as kontrollet dhe as testimet. Fjala transferim është vërtet një frikë e madhe për shumë prej arsimtarëve. Kjo pasi ata që punojnë në shkollat e qytetit mund ta humbasin këtë mundësi për të qenë afër vendbanimeve të tyre dhe të shkojnë për punë, në zonat periferike apo ca më keq në fshatrat nga më të largëtat të zonës.
Mësues të sistemit parauniversitar pohojnë se rol të rëndësishëm në këtë proces kanë drejtoritë arsimore. Por në krye të këtyre drejtorive në të gjithë vendin emërohen njerëz “politikë”. Ata i përkasin një force të caktuar politike, që gjithmonë është në mazhorancë mes koalicionit qeverisës. Kështu, sipas mësuesve qëndrimi politik në institucion konsiderohet si një faktor shumë i rëndësishëm, jo thjesht për të pasur një raport të mirë me drejtuesit e shkollës, por edhe për të ruajtur vendin e punës aty. Në të kundërt, pohojnë ata, të pret transferimi ose deri largimi nga radhët e arsimit. Një fenomen i tillë përveçse në kryeqytet është tejet i theksuar në rrethe. Drejtorët e drejtorive arsimore ndryshojnë sa herë që ndryshon ministri i Arsimit. Emërimi i të rinjve lidhet automatikisht me përkatësinë partiake të titullarit të Ministrisë së Arsimit. Transferimet e mësuesve kryhen zakonisht në fillim të vitit shkollor, kur edhe bëhen planifikimet e orëve mësimore dhe ndarja e ngarkesës mësimore për mësuesit nëpër shkolla, sipas nevojave që ato kanë. Vetë arsimtarët pohojnë nën zë se pas përplasjeve me drejtuesit e shkollës, (që drejtojnë në kompromis të plotë me drejtoritë arsimore apo zyrat e arsimit), mund të ndodhë që institucioni të marrë masë për ta.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›