E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: PS duhet të bëjë hapa konkret për t’u modernizuar

SHKODËR- Shkodra ka qenë ndalesa e radhës, ku deputeti i PS-së, njëkohësisht anëtar i kryesisë, Arben Malaj, ka vijuar bashkëbisedimin e tij për modernizimim e partisë. Gjatë një takimi me të rinj dhe përfaqësues të shoqërisë civile, Malaj ndau me pjesëmarrësit idetë e tij mbi “Modernizimin e partive politike”, duke ndjekur nga afër edhe shqetësimet e të rinjve shkodranë. Takimi zgjoi interesin e pjesëmarrësve, të cilët u bënë pjesë aktive e bashkëbisedimit. Kundrejt kërkesës së parashtruar nga një prej pjesëmarrësve, Jetmiri, për vëmendje të shtuar ndaj të rinjve të këtij qyteti, Malaj ndau me të qëndrimin mbi domosdoshmërinë e riorganizimit të Forumit Rinor dhe Forumit të Gruas, si dhe mbajtjen e Kongresit për zgjedhjen e strukturave drejtuese, një parakusht ky, sipas tij, për t’i kthyer vëmendjen dhe rëndësinë e merituar rinisë socialiste. Malaj sugjeroi që zgjedhjet në të dy forumet të mbahen para kongresit të 5 Nëntorit. Ervini, një tjetër i ri tepër aktiv në bisedë, parashtroi një pyetje që kishte të bënte me pjesëmarrjen e deputetit Malaj në grupin për ndryshime statutore në PS dhe qëndrimin e tij në lidhje me turin bashkëbisedues nëpër rrethe. “Jam këtu me ju për të marrë nga ju mendimet më të vyera të rinisë shkodrane e për t’i përcjellë ato në mënyrë të zëshme në mbledhjet e partisë, ku do të marrin formë edhe ndryshimet statutore. Opinioni publik duhet të ndjehet pjesë integrale e politikëbërjes, duke shfaqur në këtë mënyrë një interesi= të shtuar ndaj aktivitetit dhe forcave politike në vend. Partitë politike duhet të modernizohen, si parakusht për të modernizuar të ardhmen tonë të përbashkët, duke menduar kështu për brezat që vijnë”, - tha Malaj. Deputeti i PS-së do të vijojë takimet bashkëbiseduese edhe në qytete të tjera të vendit, rreth këtyre çështjeve me të rinj, përfaqësues të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit, për të bashkëbiseduar e për të dëgjuar mendimet e tyre. Malaj vlerëson se PS-ja duhet të ndërmarrë hapa konkrete për modernizimin e saj, për më shumë efikasitet, si në opozitë, ashtu edhe për qeverisjen e vendit. Platforma Malaj, pasi të konsultohet nëpër qytetet dhe komunat e vendit, do të jetë gati për tu diskutuar në forumin më të lartë të socialistëve, që është kongresi 5 nëntorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›