E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuesja “rrëzon” pensionistët për pezullimin e Kodit

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë si të pambështetur në fakte, kërkesën e “pensionistëve shqiptarë”, për të pezulluar zbatimin e neneve 69, 70 dhe 87 të Kodit dhe për rrjedhojë dhe të zbatimit të të gjithë vendimmarrjes së institucioneve shtetërore, që kanë të bëjnë me zgjedhjet e 8 majit, deri sa kjo gjykatë të shprehet në mënyrë përfundimtare për kushtetueshmërinë e këtyre dispozitave. Trupa kushtetuese ka marrë dje në shqyrtim, në seancë plenare kërkesën e partisë “Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptare” për shpalljen antikushtetuese të 3 neneve të Kodit Zgjedhor dhe më konkretisht të atyre me numër 69, 70 dhe 87 të tij, ku dhe përcaktohen mundësitë dhe kërkesat që duhet të plotësojë një forcë, apo një kandidat, për të marrë pjesë në një proces zgjedhor, si mënyra e ndarjes së fondeve publike për subjektet zgjedhore. Por para se të kalonte në thelbin e çështjes së ngritur nga pensionistët, gjykatës i është dashur që të shprehet më parë për kërkesë tjetër të kësaj force, të asaj për pezullimin e zbatimit të këtyre 3 neneve, të cilat sipas argumenteve që u dhanë në sallë, kishin të bënin dhe me procesin aktual zgjedhor. Pas tërheqjes për vendimmarrje, gjykata ka rrëzuar këtë kërkesë si të pambështetur në fakte. Më pas, gjykata ka vijuar me dëgjimin e pretendimeve të palëve, ku të parët që janë ftuar për të dhënë argumentet e tyre ka qenë pala e paditur. Sipas saj, të tre nenet e goditura në Kushtetuese krijojnë një situatë diskriminuese për partitë e vogla dhe kandidatët e pavarur. Sipas paditësve, përcaktimi i marrjes së firmave të 1 për qind të zgjedhësve nga partitë jo parlamentare, si kusht për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore është antikushtetues dhe diskriminues. Gjithashtu, për këtë forcë politike edhe neni 87 bie në kundërshtim me Kushtetutën, për shkak se bën diferencime jo të argumentuara në ndarjen e fondeve publike për partitë pjesëmarrëse në zgjedhje. Ndërkohë që pala e interesuar, Këshilli i Ministrave ndërsa ka sjellë argumentet kundër përmbajtjes së kërkesës, ka kundërshtuar edhe legjitimimin e kësaj force politike në ngritjen e kësaj çështje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›