E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statuti i ri, PS heq dorë nga parimi “një anëtar, një votë”

SHKRUAN: Fejzi Braushi 15-07-2011 10:59

Parimi “një anëtar, një votë”, i importuar nga Partia Socialiste me shumë bujë nga laboristët anglezë, ka rezultuar të mos jetë i suksesshëm në realitetin politik shqiptar. Partia Socialiste, si një nga forcat që e përqafoi e para këtë parim, po diskuton të mos e aplikojë atë në zgjedhjen e drejtuesve partiakë apo të zgjedhurve të tjerë të saj. Përjashtim pritet të bëjë vetëm zgjedhja e kryetarit të Partisë Socialiste, e cila do të bëhet sërish përmes parimit “një anëtar, një votë”. Një gjë e tillë pritet të sanksionohet në statutin e partisë me ndryshimet e reja që po përgatiten nga grupi i punës, i ngritur për këtë qëllim, ku natyrisht do të përfshihen dhe një sërë amendimesh të tjera, që kanë të bëjnë gjithashtu me mënyrën e organizimit të partisë në bazë, për ta përshtatur atë sa më mirë me nevojat elektorale.

Ndryshimet në statut

Dy grupet e punës, të ngritura nga Asambleja Kombëtare për ndryshimet në statut dhe ato në programin politik të Partisë Socialiste kanë nisur nga puna. Para disa ditësh janë bërë dhe mbledhjet e konstituimit të këtyre grupeve, ku dhe janë caktuar piketat dhe plani i punës. E ndërsa grupi i punës, për hartimin e programit e ka thuajse gjysmë të realizuar punën e tij, për shkak se ekziston një draft paraprak programi, ai për ndryshimet në statut ka parë të arsyeshme që paketën e propozimeve ta realizojë në bazë të nevojave që kanë dalë për një efektshmëri më të madhe të strukturave partiake në kohë zgjedhjesh. Tri janë pikat kryesore për të cilat do të kërkohet dhe mendimi i bazës, para se ato të vendosen në draftin përfundimtar. E para ka të bëjë me parimin: “një anëtar, një votë”, i cili pasi u hoq si praktikë për zgjedhjen e një sërë strukturash partiake në bazë, parashikohet që të zbatohet tashmë vetëm për zgjedhjen e kryetarit të PSSH-së. Aktualisht, ky parim është i zbatueshëm edhe për kryetarët e rretheve, të cilët me shumë gjasa nuk do të ekzistojnë më si formë organizimi partiak. Pikërisht kjo reformë përbën dhe pikën e dytë, ku do të përqendrohet reforma strukturore e partisë. Në grupin e punës është vlerësuar se një nga reformat kryesore që duhet të prekë organizimin partiak është ai i kalimit nga partia në rang rrethi, në partinë në rang Zone të Administrimit Zgjedhor. Në PS janë të mendimit se mënyra aktuale e organizimit të partisë në rang rrethi nuk ka qenë efikase, sidomos gjatë fushatave zgjedhore. Kjo për shkak se një dege të tillë partiake i duhej që të merrej me fushatën në disa ZAZ njëherësh, që bënin pjesë në rrethin përkatës. Ky lloj organizimi vlerësohet se ka qenë jo efektiv, pasi presupozohet se partia nuk ka qenë afër aq sa duhet problematikës elektorale, që mund të kishte secila ZAZ. Ndaj është hedhur si opsion që të shkrihen degët e partisë së rretheve dhe të krijohen degë partie për çdo ZAZ. Ndërkohë që krerët e tyre nuk do të zgjidhen më siç zgjidheshin deri më tani, krerët e partisë së rrethit, pra sipas parimit “një anëtar, një votë”, por sipas mënyrës tradicionale, asaj me delegim.

Organizatat

Një tjetër ndryshim që parashikohet të bëhet në statut, në kuadër të reformës organizative, është edhe ai që ka të bëjë me organizatat bazë të partisë. Burime pranë selisë rozë kanë bërë të ditur dje, nisur nga rezultatet e fundit zgjedhore, ato të 2011, por edhe ato të 2009, është vlerësuar se mënyra e organizimit të tanishëm partiak, një organizatë partie për lagje apo fshat nuk ka qenë produktive, për faktin se një organizatë në raste të veçanta, i duhet që të punojë me një numër të gjerë zgjedhësish që mund të përfshinin 2 apo 3 qendra votimi. Ndaj për të qenë më të përqendruar dhe më afër zgjedhësve, grupi i punës ka vendosur që t’i drejtohet bazës për të marrë mendim nëse ky lloj organizimi duhet të jetë ende funksional apo duhet të kalohet në organizimin tjetër: “një organizatë, një qendër votimi”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›