Malaj: Rama nuk e sjell dot PS-në në pushtet

S’ka më pika afrimi mes kursit pasiv politik të Edi Ramës dhe përfaqësuesve të mendimit ndryshe në PS. Arben Malaj e tha mbrëmë troç se sa kohë kryetari i PS-së të jetë në gjueti të pazareve të vogla e parakushteve si ato të ndryshimeve kushtetuese, e majta s’do të vijë asnjëherë në pushtet. Për motive të ndryshme, të njëjtin mendim ndan edhe bolsheviku Skënder Gjinushi, për të cilin, partia e Edi Ramës është tani kokulur dhe kurrizthyer
Deputeti socialist dhe njëherazi anëtari i kryesisë së PS, Arben Malaj, analizon zhvillimet në PS, duke u shprehur se Edi Rama s’ia doli ta sjellë në pushtet partinë më të madhe të opozitës. Sipas tij, premtimi i Ramës 5 vjet më parë ka qenë rikthimi i PS-së në pushte në 2009-ën, por dështoi dhe premtimi i dytë ishte maksimalizimi i votave më 8 maj, ku edhe këtë herë dështoi. “Kur flasim për PS-në, flasim se në kohë të ndryshme ajo është drejtuar nga njerëz të ndryshëm. Nuk duhet të harxhojmë energji të kota me konflikte individuale. Deri tani ne nuk jemi fitues, edhe pse thuhet e flitet se PS ka më shumë vota se partia që deri më tani ka fituar, PD-ja. Momentet në vijueshmëri, për shkak të ngjarjeve të ardhshme si zgjedhja e presidentit, vlerësimi për statusin kandidat, meriton dhe një analizë se si po ecën PS dhe si po ecën vendi. Ne duhet të vijmë në pushtet përmes maksimalizimit të vota dhe jo përmes pazareve të vogla politike” - u shpreh Malaj. Deputeti socialist flet për një metodikë ndryshe të drejtimit të PS-së, larg gjuetisë së shtrigave dhe përplasjeve individuale. Sipas tij, radikalizmi po e dëmton PS-në gjithnjë e më tepër. “Radikalizmi i PS-së nuk është politikë e suksesshme. PS duhet të ketë projektet dhe programet e saj, për të sjellë maksimizimin e votave në rang kombëtar dhe fitimin e zgjedhjeve të ardhshme”- tha ai. Lidhur mbi një përjashtim të mundshëm të deputetëve të PS-së nga kjo forcë politike, Malaj thotë se kjo tashmë është një praktikë e njohur. “PS nuk duhet të hyjë në një debat të brendshëm sepse nuk është një faktor konkret shqetësues. PS sot ka si debat të brendshëm menaxhimin e radikalizmit. Rritja e disa zërave për radikalizim dhe tendenca për të humbur kohë në debate të brendshme dhe me aleatët tanë se kush është realisht për kontribute pozitive ndaj vendit të tij dhe PS-së, dhe kush është për radikalizimin si e vetmja strategji e fitores, do t‘i humbasë PS-së shumë energji të domosdoshme për fitoren. PS duhet të plotësojë misionin e saj politik si partia më e madhe opozitare në Parlamentin e vendit të saj. E shkuara të lejon të kesh këtë shqetësim. E gjitha mbetet për tu parë se me cfarë mentaliteti do të qeveriset partia më e madhe opozitare”- tha ai.
Duke u ndalur te kërkesa ende jo zyrtare e PS për ndryshime Kushtetuese, Malaj tha se kjo s’duhet të funksionojë si politikë imponimi, për ta detyruar krahun tjetër politik për të bërë lëshime të panevojshme. “Në 2008-ën Berisha dhe Rama arritën në një kompromis për të arritur ndryshimin e Kushtetutës. Të bësh ndryshime kushtetuese ku ajo t’i shërbejë një të ardhme më të mirë, kjo mund të jetë një rrugë racionale, por kjo nuk mund të funksionojë në një ambient kur në rastin më të mirë duket si imponim. Kjo nuk është një kërkesë për të nxjerrë vendin nga kriza. Me ndryshimet kushtetuese të 2008-ës u forcua roli i Berishës dhe Ramës në partitë politike. Mendoj se reforma në kushtetuese mund të vijë si bashkëpunim i forcave politike dhe jo si imponim i një force politike ndaj një tjetre. Në 2008-n amendimi i kushtetutës u bë me marrëveshjen e dy partive të mëdha. Unë besoj se koha dhe sfidat kërkojnë që PS të ketë një strategji të qartë në atë që kërkon të arrijë. Fitorja nuk vjen me ndryshimet kushtetuese, por me program dhe strategji të qartë. Nëse bojkotet, kërkesat për ndryshime kushtetuese dhe mos dhënia e konsensusit në hartimin e reformës zgjedhore, atëherë gjithçka do të shkojë drejt një tjetër krize”- deklaroi Malaj. Lidhur me kursin e tij të bashkëbisedimit me socialistët, Malaj tha se po informon anëtarësinë për çrrënjosjen e autoritarizmit politik në PS. “Askush në lidershipin politik të PS-së nuk mund, për asnjë arsye, të marrë flamurin se po mban nën kontroll radikalizmin e anëtarësisë së PS-së. Por, të gjithë ne, me përgjegjësi maksimale, duhet të rrisim efikasitetin e opozitës shqiptare, të rrisim ndërgjegjësimin e opinionit publik për demokraturën në të cilën qeveriset vendi ynë. Partia Socialiste, që nga krijimi i saj, nuk ka pasur as në programin e saj politik, as në programin e saj qeverisës, as në strukturat e saj organizative, as në anëtarësinë dhe mbështetësit e saj, element ideologjik radikal apo strategji fituese, mbështetur në politika dhe veprime radikale. Kohët e fundit janë shfaqur disa mentalitete dhe veprime radikalizuese. Ato kanë dëmtuar efikasitetin politik të PS si opozita më e madhe e vendit dhe kanë fshehur dështimet reale të qeverisë “Berisha”. Asnjë tendencë radikalizuese nuk duhet të dominojë zhvillimet e ardhshme politike në PS. Shpresa dhe jo frika duhet të jetë aleatja jonë e fitores”- tha më te, deputeti Malaj.
Gjinushi: Rama s’di të bëjë opozitë, jemi në ditë të hallit/Teksa grupi i juristëve të selisë rozë po prelatit një paketë të plotë propozimesh për t’ia ofruar mazhorancës me rinisjen e punimeve të parlamentit, aleati i tyre tradicional Skënder Gjinushi është kundër çdo lloj dialogu me kryeministrin Berisha. Por ai ndahet edhe me Partinë Socialiste, duke nisur nga kursi i ri politik i kësaj të fundit. Aleati më i hershëm i selisë rozë kritikon ashpër ndërprerjen e bojkotit parlamentar të selisë rozë. Kryesocialdemokrati thotë se nuk e mbështet PS-në që si forca më e madhe e opozitës po bëhet palë me qeverinë dhe po merr përgjegjësitë e kësaj të fundit për kolapsin që ka mbërthyer vendin. “Qëndrimet tona tani ndryshojnë sepse PS sa më e rëndë aq më e urtë bëhet ajo dhe çuditërisht krizat dhe mëkatet i bën PD-ja, përgjegjësitë në thonjëza, kërkon t’i mbajë PS-ja. PS dhe opozita kanë një detyrim sot. Të thonë kush është shkaktari për gjendjen në cilën ndodhet Shqipëria. Kush është zgjidhja reale dhe jo zgjidhja e rreme. PS-ja në vend të thotë këtë të vërtetë po bën një veprim të gabuar, duke krijuar idenë që me kthimin në parlament, apo me një rihapje të dialogut për gjoja reforma, Shqipëria do të dalë nga kjo krizë totale në të cilën ndodhet”- deklaroi Gjinushi. Lidhur me nismat që duhet të marrë opozita në kushtet kur janë konsumuar rrugët si bojkoti parlamentar ashtu dhe protestat, kryesocialdemokrati, Gjinushi shprehet: “Kjo nuk do të thotë që pas kësaj të ulësh kurrizin dhe të thuash: “Meqë e provova me bojkot, meqë e provova me protesta, tani të bëjmë reforma me anti-reforma. Kjo nuk justifikon që t’u thuash shqiptarëve në mënyrë të rreme, pra të bëhesh palë me Saliun, që ka ende mundësi për reforma, kur je i sigurt që nuk ka reforma me këtë qeveri. Të gjithë ata që hedhin tezën të rregullojnë kodin, të largojnë të keqpërdorurit vetëm, pa larguar ustain, por duke larguar vetëm çirakët, patjetër që këto teza shkojnë vetëm në favor të Sali Berishës, për të zgjatur jetën e tij, sepse ai është shkaktari kryesor, urdhëruesi dhe përfituesi kryesor”- theksoi Gjinushi. Kryetari i Socialdemokratëve thotë se opozita ka detyrimin të udhëheqë shqiptarët drejt çlirimit nga një qeveri e mbërthyer nga korrupsioni, që vjedh votat dhe pasurinë e shqiptarëve, ku demokracia dhe institucionet kanë rënë, ndërsa për të PS po bën të kundërtën.