Për publicistikën mjerane të Edi Ramës, vjersha e Arshi Pipës i shpjegon të gjitha

Shkrimtari Arshi Pipa analizon karrierën e Hitlerit të shqiptarëve si karrierën e një gjysmaku të mbytur nga zilia, ndërkohë që publicistika mjerane e Edi Ramës paralajmëron dështimin e plotë të një politikani që kujton se mbijetohet me një opozitë pasive, deri në kongresin e 5 nëntorit
Edi Rama s’i ka përzgjedhur letrat e editorialet nga halli se është me “do punë” jashtë shtetit, por veç nga tmerri se s’e nxjerr dot para publikut pamjen e lodhur pas humbjes së bashkisë e po ashtu se s’përballet dot me pyetjet e gazetarëve për vaterlonë që mund ta presë në kongresin e 5 nëntorit. Prandaj, sa më larg kontaktit të drejtpërdrejtë, sa më larg interaktivitetit, aq më shumë do të funksiononte opozita pasive, aq e dashur dhe aq e gjetur për të fituar kohë. Edi Rama ka nevojë për kohë, derisa të realizohet skema e prapësisë, derisa të realizohet ajo doç-opozitë e shqiptarizmës, ajo strategji së prapthi (anale) e përdorimit të interesave kombëtare për përfitime personale, që siç thotë edhe Arshi Pipa në dy rreshtat e famshëm të librit “Stalinizmi shqiptar” “...dhe kjo i spjegon të gjitha”.
Bandilli i politikës shqiptare ka pikasur opozitën pasive, opozitën anale të gushtit, si mjetin më të mirë për t’u bërë dëm aspiratave kombëtare dhe për të çimentuar karrierën në një parti që ka trashëguar sjelljen staliniste të partisë së Enver Hoxhës, po përpiqet të ofrojë të njëjtin shembull të gjysmakut, të njeriut gjysëm-piktor, gjysëm-publicist e gjysëm-politikan. Kjo taktikë gjysmake, siç thotë Arshi Pipa, “prodhon zilinë”, e cila, siç duket, më pas çon në përdorimin e armëve mizore, në kufijtë e skizofrenisë, njëlloj siç vepro Hitleri i shqiptarëve, apo edhe Gadafi, Hitleri i libianëve. Kjo skizofreni pritet të marrë përmasë praktike në fushatën spastruese në kongresin e 5 nëntorit, por edhe në këmbënguljen irracionale për të penguar sa të mundet marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Njëlloj si bandilli i PPSH-së, që mendonte se sundimi ishte më i thjeshtë, sa më i izoluar të jetë vendi, edhe bandilli i ri, mendon së prapthi (analisht) se izolimi i Shqipërisë do të shtojë gjasat për ardhjen e nomenklaturës së Bllokut në pushtet. Është një rimarrje e tezës së një tjetër stalinisti shqiptar, një tjetër bandilli të politikës komuniste, si zëholli Ramiz Alia se Shqipëria “as nuk hapet e as nuk mbyllet”.
Duket se të gjithë e kanë besuar formulën se si mbahej gjallë stalinizmi e pushteti së bashku, me anë të gërshetimit të terrorizmit me politikën anale... “Kjo i shpjegon të gjitha” - thotë Arshi Pipa në analizën e vet për siç thotë ai “gjysmakun e mbytur në xhelozi”. Përfundimi i asaj ngrehine anale dihet, kështu që s’ka pse të mos lexohet perspektiva politike e gjysëm-piktorit, gjysëm-publicistit e gjysëm-politikanit që kujton se me kopjimet e “sallameve” të vrasësve me pagesë në publicistikë mund t’ia dalë të mbijetojë, të paktën deri në kongresin e 5 nëntorit.