E Martë, 3 Nëntor 2026

Malaj: Rritje e pensioneve dhe pagave, rishikim i politikave tatimore

TIRANË, 17 prill/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot se ekonomia shqiptare ka pasur transformim të rëndësishëm gjatë dekadës së fundit me rritjen e PPB, uljen e papunësisë, tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe reformën në sektorin publik për pagat.

“Në 2013 arka ishte bosh, borxhi publik ishte 70%. Reformat kanë qenë të rëndësishme për këtë transformim. Rritja ekonomike ka shkuar 3.96% dhe PPB është trefishuar që prej 2013-ës. Ishte 9.6 miliardë euro në 2013, kurse në 2024 shkoi 25 miliardë euro. Gjatë mandatit të katërt parashikohet të shkojë 35 miliardë euro”, tha ai në një intervistë televizive.

Malaj po ashtu bëri të ditur se papunësia në 2013-ën ishte 17.5%, kurse sot, sipas tij, është në nivelin më të ulët historik, në masën 8.8%.

“Në 2030-ën, papunësia do të zbresë 6.6%”, tha ai.

Malaj po ashtu theksoi se rritje Kanë njohur edhe investimet e huaja.

Sipas tij, nga 950 milionë euro në 2013-ën, në 2024-ën shkuan 1.6 miliardë euro, ndërsa stoku është 15.4 miliardë euro.

Ai foli dhe për reformën në sektorin e pagave, ku sipas tij, ka rritje të pagës mesatare bruto me 26%.

“Një nga arsyet që ndërmorëm reformën e pagave është që të ushtronim presion edhe në sektorin privat që të jetë konkurrues në tregun e punës”, shtoi ai.

Ministri shpjegoi se janë 4 sfida që prekin të gjitha ekonomitë botërore nga demografia që është sfida kryesore te digjitalizimi, kushtet klimaterike dhe gjeopolitika.

“Sfidat kryesore janë sfidat që prekin të gjithë ekonomitë botërore si; demografia, digjitalizimi janë kushtet klimaterike si dhe gjeopolitika. Ndër këto 4 sfida kryesore është demografia që ekspozon ekonominë. Qeveria ka marrë një sërë masash për të kufizuar largimin e fuqisë punëtore nga Shqipëria. Për këtë është marrë reforma e pagave që ka rritur të ardhurat. Po marrim iniciativa me diasporën ku organizojmë panaire pune që t’u ofrojmë shqiptarëve të kthehen dhe të punojnë në Shqipëri ku mund të jenë më të mirëpaguar se në vendet që janë”, tha Malaj.

Sa i takon programit ekonomik të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, Malaj tha se rritja e pensioneve dhe pagave janë pikat kryesore, por edhe rishikim i politikave tatimore.

“Kur morëm detyrën paga minimale ishte 157 euro, kurse sot është 400 euro. PS ka vendosur që brenda 2026 ta çojë në 500 euro. Barra fiskale e biznesit është më e ulët se në rajon. Nuk do të ketë më pensione nën 200 euro. Rishikim i politikave tatimore po bëhet me dy plane; po shihet nëse përjashtimet e normat e reduktuara tatimore janë në përputhje me direktivat e BE. Do bëhet analizë e këtyre komponentëve dhe do vendoset bashkë me FMN nëse do të qëndrojnë ose do të hiqen”, deklaroi ai. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›