Malaj, zanati i ri. Gol nga gjuajtja e lirë

Geri Malaj po shndërrohet në një brazilian tipik. Mesfushori i i kampiones Deportivo la Korunja për të rinjtë "Juvenil A" në zonën e Galicisë në Spanjë, shënoi me gjuajtje direkt golin e dytë në fitoren 2-0 kundër Pontevederës, cka tërhoqi sërish mediat iberike.
"Megjithëse kanë pesë javë që kanë fituar kampionatin, Deportivo vazhdon të fitojë të gjitha ndeshjet. I mjafton të fitojë ndeshjen e fundit për të vendosur edhe një rekord me 30 ndeshje pa humbur. Një rekord i vërtetë", - shkruan gazeta sportive spanjolle (foto e lajmit).
Të dielën , Deportivo luan ndeshjen e fundit të kampionatit kundr "Kultural Leonesa" të qytetit Leon, ndërkohë që nga 5-11 maj, në Madrid do të zhvillohen edhe "Liga e Kampioneve" të Spanjës, me ekipet fituese të kampionateve të rinjve nga rajonet t Spanjës.
Për të parë nga afër progresin e jashtëzakonshëm të kucovarit Geri Malaj, i thirrur edhe me përfaqësuesen U-21 në ndeshjen miqësorë kundër Turqisë (në Elbasan), në Madrid do të udhëtojë edhe menaxheri i njohur shqiptar i FIFA-s, Rudi Vata.
"Edhe drejtuesit e Deportivos e njohin axhendën time", - tha Vata për "Albania-sport" nga qyteti i Shkodrës. "Unë do të udhëtoj të dielën drejt Skocisë, e më pas menjëherë do të jem në Madrid. Është një eveniment i madh dhe është krenari të shohësh një lojtar shqiptar, për më tepër kapiten, që tërheq vëmëndjen e medias dhe menaxherëvë të shumtë".