E Diel, 1 Nëntor 2026

Malësi e Madhe – Kanosin me armë dhe godasin një 42-vjeçar, arrestohen dy vëllezër, shpallet në kërkim një 34-vjeçar

Në Malësi të Madhe, policia ka vënë në pranga dy vëllezër dhe ka shpallur në kërkim një 34-vjeçar, të dyshuar për kanosje me armë zjarri dhe dhunë fizike ndaj një 42-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, nisën menjëherë veprimet pas njoftimit se në aksin rrugor “Koplik – Shkodër” një shtetas ishte kërcënuar me armë.

Si rezultat, u arrestuan në flagrancë Gj. Gj., 63 vjeç dhe P. Gj., 51 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim K. Gj., 34 vjeç, të tre banues në fshatin Bajzë. Nga hetimet paraprake dyshohet se ata kanë qëlluar me armë zjarri në pjesën e pasme të automjetit të 42-vjeçarit E. T., dhe pas ndalimit të mjetit pranë rreth rrotullimit në hyrje të Koplikut, e kanë goditur me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime.

Gjatë operacionit u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe 4 automjete. Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për procedura të mëtejshme.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›