Malet shqiptare, thesari i pashterur në mbështetje të zhvillimit ekonomik
Nga Prof. Dr. Seit SHALLARI
Nëqoftëse doni të ndiheni si në pëllëmbë të Zotit shkoni në Parkun Kombëtar të Valbonës. Shkoni në Valbonë, për më shumë, mbasi të kaloni Shpellën e Dragobisë, vazhdoni më lart drejt Bujtinës Margjekaj, në këmbët e Malit të Jerzercës, rrethuar nga Bjeshkët e Bekuara dhe në krah të shtratit të Lumit të Valbonës.
Te njëjtën ndjesi mund ta provoni në Qafën e Shtamës, në Malin me Gropa, në Qafën e Prushit, në Përmet, Ersekë,Devoll, Kukës, Pukë, Mirditë, Shkodër etj.
Duke shkuar nga Gjakova për në Bajram Curri në perëndim të diellit të shfaqet një pamje magjike e maleve të thepisura të mbështetura mbi njëra tjetrën si kërcimtarët tek vallja e shqiponjës.
Në këto zona, mikpritja të bën të ndihesh si në shtëpi. Ushqimi është i shkëlqyer. Mishi dhe bylmeti janë bio. Gatimet janë tradicionale; flia ose byreku, perimet, salca e kosit, uji i maleve; buka e bërë me drithin e zonës është më e mira.
Në malet tona janë jetësuar legjendat, Kreshnikët e Maleve, Muji dhe Halili. Të nevojiten disa orë gjumi dhe lodhja ikën si me magji, ndihesh i freskët dhe i magjepsur përballë maleve të plakura.
Malet e Shqipërisë në të shumtën e rasteve janë male me formacione sedimentare ku mund të gjesh fosilet e detit, shumë të moshuara dhe të veshura me bimësi gati deri në majë. Në fakt, kjo është shumë e veçantë sepse Bjeshkët e Bekuara janë vazhdim i Alpeve Europiane ku mbizotërojnë formacionet e reja vullkanike (bazike dhe ultrabazike).
Kush kalon një natë në gjirin e këtyre maleve dhe çohet herët në mëngjes shikon se dielli fillon të prek majat dhe unaza floriri veshin majat e tyre. Ato vazhdojnë të formojnë kush e kush më parë kurorën më të bukur e të zbukuruar nga diamanti i borës së përjetshme me forma nga më mistiket.
Në Valbonë, i zoti i bujtinës, djali dhe nusja e tij, vajza dhe mbesa me buzëqeshje dhe mirësjellje të përshëndesin duke të ofruar mëngjesin e pasur, kafen dhe të urojnë fat për ditën e re.
Midis pemëve afër majave jeton dhia e egër, një specie e kërcënuar për zhdukje në nivel europian, shqiponja e maleve, ujku dhe ariu i murrmë e shumë kafshë të tjera.
Por, mos keni frikë, shumë rrallë mund ti shohësh këto kafshë, ato nuk ulen poshtë por rrinë në habitatin e tyre natyror. Më poshtë gjendet një livadh i rrethuar nga pishat dhe ahu i bardhë, më tutje, disa koshere blete, bletët që grumbullojnë lule më lule pjalmin, gjenerojnë jetën dhe prodhojnë mjaltin nga qindra e qindra specie bimësh, aty ku ndotja nuk ekziston. Pak më tutje në horizont dallohet një stan i vjetër, një peizazh që ngjason me pikturat e V. van Gogh.
Turistë nga vende të ndryshme ose më mirë eksplorues të natyrës së virgjër janë të pranishëm në Valbonë pothuajse çdo muaj të vitit. Sigurisht kjo është merita e Valbonasve që kanë ditur të zhvillojnë mikpritjen dhe ti bëjnë njerëzit të rikthehen e të rikthehen.
Por të bësh biznes në këto zona malore nuk është e lehtë. Dy gjëra janë emergjente: rruga dhe energjia elektrike,janë edhe faktorë të tjerë që pengojnë zhvillimin e aktivitetit turistik në këto zona. P.sh. Bujtina Margjekaj dhe shumë të tjera janë investime të krahasueshme me ato në malet e Zvicrës ose Austrisë. Megjithëse në këtë zonë ka një aktivitet turistik të rëndësishëm, menaxherët e parkut ose qeverisja vendore nuk ka menduar për menaxhimin e ujërave të zeza dhe mbetjeve të ngurta.
Në Bujtinën që patëm fatin të kalonim natën, i zoti i lokalit është kthyer nga emigracioni dhe me bashkëshorten gjermane ofrojnë mikpritje tradicionale shqiptare dhe një shërbim cilësor të kualifikuar alla-gjerman. Ky është një biznes familjar ku kombinohen tradita dhe mikpritja shqiptare me standardet gjermane të shërbimit turistik.
E gjithë kjo të bën të mendosh dhe të reflektosh. Shqipëria është vend i bekuar, me burime natyrore që mbështesin një rritje ekonomike të qëndrueshme. Turizmi malor është një potencial ose alternativë që i ka ardhur koha të zhvillohet. Kjo mund të jetë një alternativë e sigurt që mund të sigurojë rritjen ekonomike dhe të bëjë diferencën.
A ka një vend tjetër në botë e për më shumë në Mesdhe që në kaq pak hapësirë të ketë detin dhe malin, pasuritë ujore, florën dhe faunën, historinë dhe pasuri të tjera mbi e nën dhe. Malësitë e Shqipërisë janë të pasura me burime ujore nga më të mirat në botë. Në këto hapësira jetojnë qindra e mijra specie bimore dhe shtazore.
Duhen vetëm dy gjëra rrugë dhe energji elektrike. Gjithashtu, mbrojtja dhe menaxhimi i mjedisit në këto zona është me rëndësi jetike dhe në interes të kombit. Statusi ligjor i këtyre zonave duhet të jetë i veçantë nga zona të mbrojtura që janë sot në zona me interes kombëtar.
Le të bëjmë një llogari. Supozojmë se qeveria mbështet një zonë pilot për zhvillimin e turizmit malor. Do të duhen afërsisht dhjetëra km rrugë të reja dhe linja elektrike… Hapësira mijra km katrorë do të marrin një vlerë të shtuar që do të kalojë disa herë investimin fillestar në një kohë të shkurtër (dy deri tre vite). Kjo do të çlirojë energji humane dhe financiare përmes vizioneve të biznesit që shqiptarët tashmë dinë mirë ti zhvillojnë.
Në një Universitet të Hollandës, një nga më të mirët në botë para një viti pashë në zyra dhe korridore foto të maleve nga e gjithë bota. Hollandezët jetojnë nën nivelin e detit, mali me i lartë i tyre është një rrip toke disa metra mbi nivelin e detit. Në një emision televiziv dëgjova se në Hollandë do të ndërtohej një mal i lartë rreth 2000 lartësi e me kosto disa dhjetëra miliard euro. Më pas, hollandezët do bëjnë pushime dhe ski në malin e tyre. Ide e çmendur por thonë se leku e hedh ujin përpjetë. Megjithatë, le të imagjinojmë për një çast se ky mal human do të ndërtohet. Ai gjithsesi nuk mund të kalojë 1-10% të malit të Tomorrit.
Kushdo mund të pyes se sa është vlera e maleve të Shqipërisë. Vështirë të llogaritet qoftë nga njerëzit më të zote qoftë nga teknologjia e sotme që nuk njeh kufi. Veçse lehtësisht mund të konkludojmë se malet, biodiversiteti dhe uji i pastër dhe i ëmbël që buron prej tyre është pasuria më e madhe e shqiptarëve për sot dhe mijra e mijra vjet që do të vijnë.
Në perspektivën e afërt mijra njerëz do të punësohen në industrnë e turizmit malor i cili zgjat 12 muaj. Imagjinoni n.q.s infrastruktura do të bënte të arritshëm Malin me Gropa për Tiranën gjatë fundjavës! Sa milionë euro shkojnë në Mavrovo (Maqedoni) dhe Kolashinë (Mali i Zi)…
Ka ardhur koha që çdo hektar të survejohet për prerjet, gjuetinë e paligjshme ose zjarret e qëllimshme. Kjo pasuri e madhe kombëtare duhet vlerësuar si burim i pazëvendësueshëm për sot dhe për nesër. Tek e fundit ne jemi një vend me më shumë se 70% male dhe me shumë burime të virgjëra natyrore. Konservimi i pyjeve, forës dhe faunës duhet të garantohet përmes masave ligjore .Ne që jetojmë sot nuk kemi të drejtë të lëmë tokë të shkretë për fëmijët tanë.
Mekanizma financiarë duhet të aplikohen për të punësuar Rojtarët e Natyrës. P.sh. në Malin e Zi çdo makinë paguan taksën ekologjike 10 euro. Qeverisja lokale duhet urgjent të kontrollojë territorin në kohë reale.
Duhet ndaluar biznesi shfarosës i gjuetisë së kafshëve dhe shpendëve. Është e thjeshtë, shfarosja nuk lë pasardhës dhe kujtesë për vazhdimësi. Duhet ndaluar një orë e më parë gjuetia barbare, mafioze nga njerëz barbarë për interesa të disa personave malinj.
Ka të dhëna bindëse dhe argumenta se zhvillimi zonës malore është një alternativë serioze, burim punësimi dhe mirëqenie në ndihmë të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Sekreti është përkushtim-ekspertizë-vëmendje-kujdes.