Tifozët e Tiranës protesta para zyrës së Bashës për mos mbajtjen e premtimeve
Tifozët bardheblu festojnë 93 vjetorin e klubit me protesta
16 Gusht, 2013. Një datë e shënuar për tifozët bardheblu, pasi përkon me 93 vjetorin e themelimit të klubit më të titulluar në Shqipëri. Duhet të ishte një përvjetor festiv, por për mbështetësit e Tiranës është moment i duhur për të protestuar përpara bashkisë së kryeqytetit, që është pronare legjitime e klubit, për situatën e rëndë ku ndodhet skuadra. Rreth 150 tifozë bardheblu u mblodhën rreth orës 17:00 para Bashkisë, ku fillimisht shpalosën banderolet dhe më pas brohoritën emrin e Tiranës, sikurse bëjnë gjithmonë në shkallët e stadiumit. Një formë paqësore e protestës në zemër të kryeqytetit, para institucionit që i ka harruar të gjitha premtimet për ndërtimin e një klubi vizionar.
Deklarata
Tifo-grupi “TIRONA-FANATICS” ka dërguar edhe një letër për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Mbas disa vjet menaxhimi të K.F. Tirana, dhe premtimeve të pafundme për institucionalizimin e klubit dhe vënien e tij në themele të shëndosha bashkëkohore, me dëshpërim të thellë dhe indinjatë konstatojmë se ndodhemi në situatën më të dëshpëruar dhe kaotike që ky klub ka përjetuar ndonjëherë. Bëhet fjalë për klubin nën administrimin tuaj zotërinj të nderuar, klubin më të titulluar në vend, klubin simbol të qëndresës në vitet e errëta të diktaturës, por njëkohësisht edhe pjesën e identitetit të qytetit tonë, të krenarisë sonë, të qenies sonë. Për klubin e themeluar nga Toptanasit dhe gjithë paria Tiranase, që lulëzoi nën drejtimin dhe financimin e Stërmasit të madh, klubin e Lushtës, Kryeziut, Karapicit, Zajmit, Gurrashit, Frashërit, Kasmit, Hykës, Memave, Dibrës, Baçit, Kolës, Mingës e sa e sa të tjerëve. Pasiviteti, mosdëshira, veprimet e gabuara dhe kryesisht mosveprimet Tuaja kanë sjellë klubin në gjendjen aktuale. Ju kemi pritur pafund të realizoni premtimet e bëra në mënyre periodike, kemi pritur rikthimin e dinjitetit, të shpirtit karakteristik dhe të titujve. Në vend të kësaj po shohim venitjen e vlerave, papërgjshmërinë absurde dhe rënien aktuale. Klubi u kthye ne vatër vegjetuesish dhe përfituesish interesash personale, pa lidhje me Tironën e Modhe, të shpirtit tonë. Sinqerisht nuk mund ti japim përgjigje pyetjes: NUK DINI apo NUK DONI?! Për sa më sipër, kërkojmë nga Ju, në mënyrë urgjente të gjeni zgjidhjen për funksionimin e klubit siç e meriton. Nuk na intereson kush e jep zgjidhjen dhe as nga çfushë e biznesit është apo kujt krahu i përket. Ne duam dinjitetin e Tironës tonë, në vendin ku i takon. Ne duam që klubi të gjejë qëndrueshmëri dhe rregull në funksionimin e tij, në mënyrë që pas një viti, në 94 vjetorin e klubit të mos gjendemi përsëri këtu, me të njëjtat kërkesa, thuhet në këtë deklaratë.