Pushime si këto
Nga Edlira Gjoni
Ku i kaluat pushimet këtë vit? Pyetja në gojën e të gjithëve teksa takohemi, fizikisht apo virtualisht. Jo ore, ku rrihet në Shqipëri? Shkova në Greqi me familjen. Në Korfuz, në Korfuz. Hotel me 5 yje. Asnjë shqiptar tjetër nuk kishte është refreni që kam dëgjuar e lexuar në shumë biseda nga këto veroret. Korfuzi vërtet duket të ketë tërhequr një pjesë të madhe të pushuesve. Është afër, kursen kohë, ke nën kontroll raportin shpenzim-shërbim dhe i thua vetes: Isha me pushime jashtë. Po, po. Do të na ndjekë edhe ndonjë 10 vjeçar tjetër kjo psikozë. Kështu duken gjasat, përderisa vijojmë akoma ta lidhim vendin ku kalojmë pushimet me statusin tonë social. Atë artificialin flasim, se reali është tjetër nivel.
Pse nuk preferojmë vendlindjen? Pse sduam të pushojmë me shqiptarë të tjerë? Dhe a pushojmë vërtet?
Kur zbritëm me pushuesit e paktë në bregun e Korfuzit në verën e 2008-ës, me një vizë holandeze në pasaportën që kush e di sa herë u kthye mbarë e mbrapsht nga policët grekë të kufirit, vërtet nuk mund ta mendoja se vetëm 5 vite më pas, në ishullin përballë do të zbarkonte në mënyrë të rregullt e në rritje e gjithë shpura e familjeve të reja, çifteve që sapo i janë futur punës dhe jetës, apo grupe të vogla miqsh që ua mban xhepi të bëjnë disa ditë pushime të organizuara.
Disa syresh kërkojnë thjesht tokën tjetër. Të tjerë kërkojnë qetësinë e munguar të 24 orëshit qoftë buzë detit, qoftë në mjediset akomoduese. Të tjerë akoma kërkojnë pastërtinë, shërbimin, higjienën, strukturimin e ditës, vakteve, aktiviteteve. Janë shumë të thjeshta, por në Shqipëri akoma nuk kanë mbërritur.
Për shumë arsye detare ose jo, ditët e pakta të pushimeve këtë vit i shpenzova në Jug. Riviera e ëndrrave-thoshte një fletushkë nga këto që lajmërojnë koncertet live të radhës nëpër baret buzë detit. Hoteli që zgjodhëm është familjar, manaxhohet nga dy veta, të cilët vërtetojnë së janë multifunksionalë në detyrë, duke mbuluar shumë role njëkohësisht: pronar, manaxher, recepsionit, pastrues, guzhinier, kamarier e banakier të ndërtesës me 12 dhoma. Pamja nga ballkoni është e pakrahasueshme. Rashë menjëherë dakord me përshkrimin e fletushkës që gjeta ngjitur edhe tek pema në hyrje të hotelit. Ama mahnitja mbaronte aty.
Në supermarketin e zonës pushuesit bënin pazarin e përvitshëm të peshqirëve, letrave higjienike, ujit të pijshëm, ilaçeve kundër mushkonjave, izoluesit të dritareve, sapunit të duarve. Ndërkohë, çmimi i dhomës nuk dihet çmund të përfshijë, teksa në çdo shtëpi pushuesish e në çdo ballkon hoteli përgjatë bregut, sheh gratë e pushuesve me fshesë e me leckë në dorë, duke pastruar mjedisin për të cilin kanë paguar. Në plazh, në rastin fatlum kur ka zhezllonga, pagesa është jo thjesht ekstra, por shkon gati sa 1/3 e çmimit të dhomës. Kurse argëtimi?
Muzikë live pra. Poni, Xeni, Meda, Çili, Seldi, Blero, Gajdia e ca të tjerë të ngjashëm, që mbijnë shtyllave e pemëve përnatë. Argëtimi tjetër ska.
Po animacione, shfaqje, karaoke, lojëra në ujë, bëni? pyes tërë kërshëri tek një kompleks i madh në vizitën time në Shëngjin. Është i vetmi që ka pamjen e një rezorti, ka sinjalistikë, hapësirë, pastërti, rregull e duket që shpenzohet shumë kohë e mund për shërbimin, edhe pse rrëmuja e 2 mijë pushuesve të akomoduar ishte zallamahitëse. E provuam, por nuk u tërhoqën pushuesit. Provova me karaoke, me cirk, me vallëzim, me ndonjë humor. Jo. Duan muzikë live. Ja, sonte kam DJ Xarën dhe këtë këngëtaren, Mevlin më shpjegojnë, me dorën drejtuar nga një grua-vajzë që çnuk linte pa lëvizur bashkë me mikrofonin, veshur me një fustan flakë të kuq me xixa, dekolte në njërin kah, të shkurtër në tjetrin, që në çdo pauzë instrumentale, me buzëqeshjen e stampuar vesh më vesh e syrin askund, thërriste me mikrofonin ngjeshur pas gojës: Hajde, hajde, hopa, hopaaaa. Dhe njerëzit që kishin vërshuar në pistë, si ulnin që si ulnin duart poshtë, duke i lëvizur ekzaktësisht në të njëjtin ritëm përgjatë të dy orëve që i vëzhgova.
Dhe tani, Hiqmetja nga Peja përshëndet familjen e saj më këngën e Hajredin Pashës, kurse Ori nga dhoma 5 përshëndet Brunën me këngën e mrekullueshme O sa bukur kërcen goca - thotë gjithë ngazëllim ajo që quajnë këngëtare. Pista shpërthen sërish e unë rrekem të kuptoj se si mund të jetë qetësuese apo frymëzuese në një natë pushimesh kënga e Hajredin Pashës. Pa e mbledhur veten nga ajo, këngëtarja anonime që paguhet si argëtimi i vetëm i 2 mijë pushuesve rreth saj, nuk pushonte në veshët e të tërëve: Laj e laj e laj si rosa, o sa bukur kërcen goca.
Këtë radhe, këngën e dëgjoja me sytë ngulur në pishinën e mrekullueshme në formë peshku që gjendet në mes të kompleksit kush e di sa milionësh. Çlidhje mund të kishte larja e rosës me atë pishinë elegante e me ujin si kristal, se gjeja dot.
Në pishinën e çdo hoteli pushimesh në botë, gjatë ditë, rreth saj do të shohësh patjetër njerëz me libër në dorë, që as shfletimi i faqeve nuk iu dëgjohet. Në mbrëmje, buzë saj pushuesit mblidhen me ndonjë gotë verë në dorë, sepse dihet, uji dhe qetësia stimulojnë bisedë. Po si mund të stimulojnë kërkesa për këngë me rosa e me Hajredinë, nuk e di.
Është e kotë të veprohet ndryshe. Nuk i edukon dot pushuesit. Smerret kultura muzikore apo pushuese në plazh. Këtë duan, këtë iu ofrojmë thonë organizatorët e shfaqjes zhurmuese këtu.
Kurse në hotelin tim në Jug, avantazhi më i madh ishte se shiu që mbyti Tiranën e Vlorën, nuk mbërriti deri në breg. E kjo cilësohet si mburrje, edhe pse më shumë se meritë e banorëve, i bie të jetë punë e Perëndisë. Këtu është parajsë. Ja, sflasim më as greqisht më thotë me krenari ofruesja e një shërbimi disa-vjeçar në jug. Parajsë pa infrastrukturë turistike, pa strukturë shërbimi e pa idenë se ku dhe si do të bëhet vitin tjetër.
Në Llaman shkojnë shtresat domethënëse (sipas vlerësimit që bëjnë vetë, jo se ka ndonjë listim të shtresave apo nga çlloj njerëzish përbëhen ato). Qëndrimi kushton shumë më shtrenjtë se tjetërkund në Jug. Ushqimi po ashtu. Po të mos e kesh mendjen, të duket sikur ka ardhur deti në Bllok, që do ishte më e lehtë, sesa të mendosh se ka zbarkuar e gjithë Tirana e Bllokut në Llaman. Frekuentuesit bëhet fjalë, se banorët e Bllokut postojnë në Facebook pamje nga ishujt Maldive.
E kështu, me ndarje e vetë-ndarje nga ato kategoriket që dimë të bëjmë aq mirë të gjithë ne, pushuesi më i denjë shkon në plazhin më të mirë për të kaluar ditët më të bukura me shërbimin më cilësor. Ndërkohë, parë nga ndonjë kënd tjetër, shqiptarët në Jug kalojnë pushime të vështira, me vetë-shërbim e kosto ditore që ta shpon portofolin përditë, me pagesa të copëtuara e lënë rrugëve sa në hotel, sa për mëngjesin, për pijet, akulloret, drekën, darkën, hyrjen në koncert, pazarin e ditës në supermarket, çadrën, zhezllonget, benzinën, telefonin apo argëtimin. E gjithë paketa, në fund të ditës e në fund të pushimeve, rrudh turinjtë e pothuajse çdo pushuesi që zgjedh detin Jon dhe rrezet aq të shëndetshme të tij. Ata që pushojnë në Shëngjin e Velipojë merren me Xenët e me bukën me vete. Kurse ata që dalin jashtë Shqipërisë, në Korfuz apo edhe Ulqin, kur të tregojnë eksperiencën, e ngrenë zërin përherë e më shumë, e duket se më shumë duan ti mbushin mendjen vetes sesa ty përballë, që vërtet, ia kaluam mrekullisht mirë.
Përpos mungesës së shërbimeve, cilësisë, larmisë në ushqim, higjienës, infrastrukturës e pastërtisë, për të cilat kemi kaq shumë vite që flasim, duket se tani, në vend që të kërkojnë rritjen e mundësisë, shërbimeve dhe cilësisë gjatë pushimeve, shqiptarët janë në fazën e konsumimit të pushimeve për të hedhur sa më shumë e nga çdo kënd foto në Facebook. E po ti vëzhgosh ato nga Tirana, zor se arrin ta bësh dot ndryshimin nëse postuesi është në Korfuz, në