Skandal në ndeshjen Maqedoni–Rumani, thirrje raciste kundër shqiptarëve në prani të zyrtarëve të lartë shtetëror

Një incident i rëndë me thirrje raciste ndaj shqiptarëve është regjistruar të shtunën në mbrëmje (2 gusht) në Sallën e Sporteve në Kumanovë, gjatë ndeshjes kualifikuese të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë. Thirrjet, të cilat dyshohet se janë bërë nga tifo grupi “Kumani”, përfshinin fraza si: “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri Maqedoni nuk do të zhduket. Maqedoni, e pastër”.
Thirrjet u dëgjuan në prani të disa zyrtarëve të lartë shtetërorë, duke përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministrin Ivan Stoillkoviq, ministrin e Brendshëm Pançe Toshkovski dhe kryetarin e Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Sipas rregulloreve sportive, në raste të tilla, tifozët duhet të paralajmërohen dhe gjyqtari duhet të konsiderojë anulimin e ndeshjes. Megjithatë, duket se gjyqtarët e ndeshjes – Georgios Poursanidis (Greqi), Yeren Yilmaz (Turqi) dhe Ventsislav Velikov (Bullgari) – nuk ishin në dijeni të përmbajtjes së thirrjeve.
E gjithë skena është transmetuar drejtpërdrejt në kanalin zyrtar të Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA) në YouTube. Ky incident ka ngjallur shqetësime të mëdha për tolerancën dhe sjelljen në eventet sportive.
/rtsh.al/