Mali i Zi,aplikon për anëtarësim në BE

Mali i Zi ka aplikuar zyrtarisht për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian. Një gjë të tillë e bëri të ditur kryeministri malazez Milo Gjukanoviç pas një takimi me presidentin francez Nikolas Sarkozi, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së. Qeveria e Mali të Zi, një vendi prej rreth 650 000 banorësh vendosi të paraqesë zyrtarisht kërkesën, Francës. Duke foluar përpara gazetarëve në Paris, Gjukanoviç tha se vendi i tij është i ndërgjegjshëm që po përballet me një fazë të vështirë, por se është i gatshëm të punojë me partnerët dhe të zgjidhë të gjitha sfidat me të cilat do të ndeshet. Veprimi i Mali të Zi pritet të inkurajojë vendet fqinje në Ballkan si Shqipërinë dhe Serbinë për të paraqitur aplikimet tyre për anëtarësim në Bashkimin Europian muajt e ardhshëm. Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin Oli Ren përshëndeti kandidaturën e Malit të Zi , për të cilën tha se pasqyronte përqafimin nga ana e saj të vlerave themelore të Europës. "Tashmë varet nga Këshilli i Europës dhe presidenca për të vendosur kursin që do të ndërmerret. Unë mund t'ju tregoj se komisioni është i gatshëm për të përgatitur një opinion për kandidaturën e Malit të Zi", u shpreh Ren.