Maliq – Rehabilitohet shkolla e Pirgut, ndërhyrja me të ardhurat e Bashkisë

Viti i ri shkollor 2025 – 2026 do i gjejë nxënësit e shkollës nëntëvjeçare “Tafil Rexhepi” në Pirg me ambiente të rikonstruktuara e të termoizoluara.
Kjo falë një investimi të bashkisë Maliq për termoizolimin e godinës dhe rehabilitimin e disa prej ambienteve të saj.
Gjithashtu po punohet edhe për rrethimin e shkollës çka do të ofrojë më shumë siguri për nxënësit e nëntëvjeçares por edhe të kopshtit të cilët edukohen në këtë ambient.
“Në prag të vitit të ri shkollor, Bashkia e Maliqit me fondet e saj, me një vlerë 8 milion të reja, është duke ndërhyrë në shkollën më të madhe të Maliqit. Projekti i bashkisë konsiston në sistemin kapot të gjithë godinës të shkollës 9-vjeçare, rehabilitimi i tualeteve të të dyjave shkollave, atë 9-vjeçarës dhe të gjimnazit të Pirgut, rrethim të shkollës 9-vjeçare për të siguruar nxënësit dhe mbarëvajtjen e mësimit”, tha Eridjon Rustemi, nënkryetar i Bashkisë Maliq.
Fillimi i vitit të ri shkollor do të ofrojë me kushte më të mira për nxënësit e kësaj shkolle por edhe në institucionet e tjera arsimore në Bashkinë Maliq, pasi ndërhyrje rehabilituese janë duke u kryer në të gjithë zonën.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/