E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rehabilitohen disa rrugë në Konispol, investime për përmirësimin e aksesit në qytet dhe fshatra

Bashkia e Konispolit vijon ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore të qytetit, duke u fokusuar tek rrugicat dhe lagjet e brendshme, ku prej kohësh ka pasur problematika.

Aktualisht disa segmente ndodhen në proces, ndërsa po kryhet shtrimi i rrugëve me beton për të përmirësuar lëvizjen e banorëve.

“Janë bërë dy segmente me asfalt, rruga që të çon te lagjja e Bregut dhe lagjja e Shkollës. Ka nevojë edhe te lagjet e tjera. Në terrenet e vështira ne kryesisht operojmë duke i shtruar me beton, sepse vështirë të shkojnë asfaltueset. Janë në proces disa segment për shtrime,” thotë Artur Beqiri, drejtor i Urbanistikës në Bashkinë Konispol.

Përveç qytetit, ndërhyrjet kanë përfshirë edhe fshatrat e bashkisë, ku infrastruktura ka qenë një nevojë e vazhdueshme. Në këto zona, investimet po synojnë të lehtësojnë aksesin e banorëve dhe qarkullimin e mjeteve.

“Punimet lidhen kryesisht me aksesin. Shtrime me beton janë duke u kryer te rruga e Janjarit, që është fshati më i largët,” shton z. Beqiri.

Rrugët e fshatrave Janjar, Shalës dhe Markat janë tashmë të shtruara me asfalt, duke ofruar kushte më të mira për lëvizjen dhe zhvillimin e zonës.

Bashkia bën të ditur se procesi do të vijojë edhe në segmente të tjera, me synimin për të përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën rrugore në të gjithë territorin.

Gazetare: Boralda Pëllumbi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›