E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mallkojnë n’shesh

Pas një pauze njëmujore për shkak të Ramazanit, besimtarët myslimanë përsëri vazhduan ta falin namazin në rrugë. Arsyeja është e njëjtë. Ata kërkojnë një lokacion për ndërtimin e xhamisë, si dhe futjen e mësim-besimit në shkollat publike. Organizatorët e protestës këtë herë ishin edhe ofendues. Fuad Ramiqi i quajti parlamentarët hipokritë, kurse xhemati i quajti majmunë. Por, deputetët nuk shpëtuan as nga nëmat e Shefqet Krasniqit. Nga Lirita Halili më 03 shtator 2011 në ora 08:49

Përsëri zgjodhën rrugën. Edhe këtë herë qindra besimtarë myslimanë e falën namazin në rrugë. E njëjtë sikurse herët e tjera, pas faljes, ata vazhduan të përsërisin kërkesat e tyre.

Por, diçka ndryshoi kësaj radhe. Xhematlinjtë e falën namazin gjysmë ore më vonë si zakonisht. Kjo pasi ata pritën edhe të tjerët, derisa u tubuan nga të gjitha xhamitë e qytetit.

Duke marrë parasysh situatën e krijuar mes Komunës, Qeverisë dhe besimtarëve myslimanë, Fuad Ramiqi, kryetari i lëvizjes “Bashkohu”, u kujdes që ta merr nën kontroll masën. Ramiqi iu drejtua besimtarëve që protestojnë në mënyrë paqësore dhe mos të bien pre e ndonjë provokimi. “Këtu ka civilë që kanë ardhur pikërisht për qëllime të caktuara, por ju lutem mos të bini pre e provokimeve të tyre”, u është drejtuar Ramiqi besimtarëve.

E përveç Ramiqit, para se të fillonte namazi, besimtarëve iu drejtua edhe një nga anëtarët e lëvizjes “Bashkohu”. Ai ua kujtoi qeveritarëve dhe të gjithë atyre që ndodhen në pushtet se duhet t’i frikësohen Allahut. “Qeveritarët duhet që t’i frikësohen Allahut sepse Allahu është mbi ta dhe ata nuk duhet ta neglizhojnë atë”, ka thënë ai.

E derisa myslimanët e falën namazin, të gjitha rrugët afër Parlamentit e Komunës së Prishtinës ishin mbushur përplot me policë. Madje pjesëtarët e Policisë së Kosovës u kujdesën që edhe objektet e Qeverisë dhe ministrive përreth të jenë të mbrojtura mirë, prandaj ata vunë barrikada kudo.

Por, prania e trupave të PK-së nuk u bëri shumë përshtypje besimtarëve. Ata vazhduan fjalimet e faljen e namazit, ashtu siç kishin planifikuar. Pas faljes së namazit gjysmë ore me vonesë, përsëri Fuad Ramiqi mori fjalën.

Pasi xhemati ndodhej pranë objektit të Komunës, Fuad Ramiqi shfrytëzoi rastin që aty t’ia kthejë përgjigjen Isa Mustafës për deklaratën e tij se “myslimanët që kanë para mund ta blejnë edhe Grandin”. Ramiqi tha se myslimanët nuk kanë para sepse ato po i lënë në komunë. “Edhe nëse na ofrojnë komunën, por edhe vende të tjera, nuk do të ishte problem, por ne i lëmë paratë në komunë pasi që komuna po punon vetëm për veten e jo për popullin”, tha Ramiqi.

Pas këtij fjalimi, protestuesit në qetësi janë nisur në drejtim të objektit të Qeverisë, te Teatri Kombëtar. Aty organizatorët e protestës edhe njëherë kanë shpalosur kërkesat në lidhje me mësim-besimin dhe bartjen e shamisë në shkollat publike.

Ndryshe nga vendi ku ata falën namazin dhe drejtuan kërkesën për lokacionin e xhamisë, rreth kërkesës së dytë vërehej një rritje e dukshme e protestuesve. Madje aty ishin të pranishme edhe vajzat me shami në kokë, ndryshe nga lokacioni i parë (afër komunës), ku vëreheshin vetëm burra.

E njëjtë sikurse pranë Komunës, edhe përballë Qeverisë fjalimin e mbajti Fuad Ramiqi, kryetar i lëvizjes “Bashkohu”. Kësaj radhe ai nuk ishte i butë në përzgjedhjen e fjalëve të tij. Ai këtë herë parlamentarët që votuan kundër ligjit për futjen e fesë islame nëpër shkolla i quajti hipokritë. “Në emër të xhematit, njerëzit e parlamentit janë hipokritë”, ka thënë Ramiqi përderisa protestuesit parlamentarëve ua vunë një emër tjetër. Ata i quajtën parlamentarët majmunë, derisa brohorisnin “Jashtë majmunët nga Parlamenti”.

Ndryshe nga tri herët e tjera, sa është mbajtur protesta për kërkesat e njëjta, Ramiqi kësaj radhe ishte i bindur në diçka. Ramiqi ka deklaruar se protestat e myslimanëve nuk do të ndalen me kaq. Sipas tij, lëvizja të cilën ai u udhëheq, do të vazhdojë me organizimin e protestave të vazhdueshme deri në realizimin e të gjitha premtimeve, që sipas tij, qeveritarët kanë dhënë para fushatës. “Ne nuk do të ndalemi deri në realizimin e premtimeve që ka bërë ky koalicion qeverisës gjatë fushatës”, ka thënë Ramiqi.

Madje, ai i ka kujtuar edhe Behgjet Pacollit, të cilit i bëri thirrje që ta përmbushë premtimin e tij të dhënë gjatë fushatës elektorale. “Përndryshe, nëse nuk ia arrin qëllimit, le të largohet nga koalicioni”, është shprehur i pari i “Bashkohu”. E përveç Pacollit, Ramiqi pati një kërkesë edhe për Kryeministrin Thaçi. Ai kërkoi nga kryeministri që ta kthejë edhe njëherë në shqyrtim Ligjin për arsimin fillor dhe parauniversitar.

Pas Ramiqit, xhematit iu drejtua edhe Shefqet Krasniqi. Ndryshe nga Ramiqi, Krasniqi pati një kërkesë për Atifete Jahjagën, Presidenten e Republikës së Kosovës. Ai ka kërkuar nga Presidentja që mos ta nënshkruajë ligjin. “Ai është një ligji i turpshëm. Nëse Presidentja nuk e nënshkruan, ne do të jemi përkrahësit e saj në çdo hap", tha i bindur Krasniqi. Më pas pati edhe një falënderim. "Falënderoj Allahun që na flladiti kohën”, ka thënë Krasniqi, duke mos kursyer as dëshirat që ai i ka për parlamentarët. “Allahu prej karrige në tokë i rrëzoftë”, u shpreh Krasniqi.

Pas afër dy orësh fjalim, kjo protestë ka përfunduar në mënyrë paqësore, ashtu siç kërkoi Fuad Ramiqi. Duke marrë premtimin nga lëvizja Bashkohu, se për çdo gjë ata do të jenë të informuar, protestuesit janë shpërndarë të qetë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›