Në pritje të Drejtorit
Pas dështimit të fundit të përzgjedhjes së drejtorit ekzekutiv të QKUK-së, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka përsëritur vendosmërinë e tij për eliminimin e çfarëdo mundësie për interferenca politike, në mënyrë që çështja e zgjedhjes së drejtorit ekzekutiv të përfundojë kah mesi i shtatorit.
Ndërkohë, mbyllja e konkursit është shtyrë deri kah mesi i javës së ardhshme, për shkak të moskonkurrimit të minoriteteve për këtë post.
Ndonëse për drejtor ekzekutiv të QKUK-së në konkursin e fundit ishte zgjedhur Dardan Stublla, pas reagimeve të shumta për shkak të shkeljeve ligjore në procedurat e përzgjedhjes në këtë post, konkursi ishte anuluar.
Ministri Agani ka thënë për Kosovapress se është i përkushtuar që të respektohen procedurat ligjore në Ministrinë e Shëndetësisë. Megjithëkëtë, ai thotë se në këtë institucion ka interferenca të fuqishme politike.
“Unë e kam mbështetur reagimin tim në një përkushtim timin që të respektohen procedurat ligjore në Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë njëherë e përgjithmonë të institucionalizohet rendi dhe ligji në këtë institucion, në të cilin po shihet se ka me të vërtetë interferenca shumë të fuqishme politike”, ka thënë ai.
Për më tepër, ministri Agani thotë se edhe në rastin konkret ka ngritur zërin për një shkelje të procedurave ligjore të kontratës kolektive që Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar me Federatën Sindikale të Shëndetësisë, e cila kontratë obligon palët gjegjëse të thërrasin edhe përfaqësuesin e FSHK-së në cilësinë monitoruese gjatë intervistimit të kandidatëve për drejtor.
Sa i përket intervenimeve politike, ministri Agani ka mohuar se këto interferime bëhen tek ai personalisht, sipas tij, interferencat ndodhin në nivele më të ulëta dhe gjenden mënyrat se si të arrihet që të ndikohet në tërë procesin.
“Interferenca politike në nivelin tim nuk ka pasur, d.m.th. unë nuk mund të them në asnjë nivel, por si duket interferencat ndodhin në nivele më të ulëta dhe gjenden mënyrat se si të arrihet që të ndikohet në tërë procesin”, ka thënë ai.
Ndërsa ka shtuar se do të ballafaqohet me këtë problem dhe se do të konstatojë në vazhdimësi problemet, në mënyrë që gjërat në sektorin e shëndetësisë të vihen në binarë. Njëkohësisht ai është shprehur se procesi i reformës, të cilin e ka nisur do të shënojë fillimin e fundit të kësaj situate.
Agani ka përsëritur vendosmërinë e tij se në të gjitha segmentet e sektorit të shëndetësisë do të rivendosë sundimin e plotë të ligjit dhe rendit, si dhe do të eliminojë çfarëdo mundësie për interferenca politike.
“Konkluzë logjike është se për këto dështime të përsëritura në emërimet e zyrtarëve më të lartë në sektorin e shëndetësisë duhet të ketë edhe përgjegjësi konkrete dhe përgjegjësia konkrete e ka edhe adresën e saj shumë të qartë. Ajo që unë si ministër i Shëndetësisë që nga ditët e para të mandatit tim kam insistuar në atë ministri është që të tregojë një tolerancë të skajshme, një frymë bashkëpunimi, një gatishmëri për bashkëpunim në mënyrë që MSH-së t’ia heqim namin e ministrisë më jostabile në Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Agani.
Po ashtu Agani edhe një herë ka përsëritur përkushtimin e tij duke thënë se në këtë pozitë të vijnë me të vërtetë njerëz meritor, pa dosje, që nuk janë nën hetime dhe të cilët janë të përkushtuar për ta ndryshuar gjendjen në këto institucione.
Agani ka sqaruar se QKU mund të bëhet me drejtor kah mesi i shtatorit.