Malta, tri pikët i mungojnë prej 28 muajsh

Për herë të fundit, ata kanë marrë tri pikët në ndeshjet në grup më 11 tetor 2006, pas fitores 2-1 në stadiumin “Ta’ Qali” me Hungarinë. Ajo sfidë ishte e vlefshme për eliminatoret e Euro 2008, por gjithsesi nuk i ka shërbyer maltezëve që t’i “shpëtojnë” vendit të fundit.
Ata e mbyllën të shtatët, me pesë pikë të grumbulluara në 12 ndeshje (një fitore dhe dy barazime) në një grup që e shihte kundër Greqisë, Turqisë, Norvegjisë, Bosnjë-Hercegovinës, Moldavisë dhe Hungarisë. Kjo ishte fitorja e parë pas 13 vjetësh, kur në vitin 1993 ata fituan 1-0 në fushën e Estonisë, në një përballje të vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës.
Në total, Malta numëron vetëm katër fitore në paraqitjet në kompeticionet madhore: në vitin 1975, ata mposhtën 2-0 Greqinë, ndërsa në vitin 1982, fituan 2-1 me Islandën (të dyja ndeshje të vlefshme për Kampionatin Evropian). Gjithsesi, rezultatet pozitive nuk kanë munguar as në vitet e fundit.
Në eliminatoret e Euro 2008, ata fillimisht barazuan 1-1 në fushën e Moldavisë (më 24 mars 2007), ndërsa më pas frenuan Turqinë në La Valeta. Me barazimin 2-2 më 8 shtator 2007, skuadra e Fatih Terim rrezikoi seriozisht pjesëmarrjen në Austri dhe Zvicër.
Por, nëse tri pikët e fundit janë regjistruar përpara 28 muajsh, pritja për një rezultat pozitiv në eliminatoret e Kupës së Botës është edhe më e gjatë. Malta, e cila ka regjistruar vetëm humbje në katër ndeshjet e para të Grupit 1 eliminator të Botërorit 2010, ka 40 muaj (tre vjet e katër muaj) që nuk regjistron një rezultat pozitiv.
I fundit daton më 12 tetor 2005, kur ata barazuan 1-1 në “Ta’ Qali” me Bullgarinë. Sfida ishte e vlefshme për Botërorin 2006, edicion në të cilin skuadra modeste ka dhuruar shumë surpriza. Në fakt, më parë ata kishin marrë dy barazime të tjera në fushën e tyre me Islandën (0-0, më 9 tetor 2004) dhe me Kroacinë (1-1, më 7 shtator 2005).
Ndeshja me të cilën në Maltë krenohen është fitorja 7-1 kundër Lihtenshtejnit, më 26 mars 2008. Në atë takim, spikati lojtari më i mirë i skuadrës, Majkëll Mifsud, me pesë gola të realizuar. Sulmuesi i Barnslit është vendosur nën urdhrat e trajnerit Dushan Fitzel, e pavarësisht një dëmtimi të vogël, pritet të jetë normalisht në fushë.