E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maltezët optimiste: E mundim ShqipërinëPresidenti i Federatës, Xhozef Mifsud, urdhëron ekipin që t’i ndalë patjetër kuqezinjtë. Trajneri Fitzel u premton tifozëve se më 11 shkurt skuadra e tij do të marrë pikët e para

Jetmir Halilaj - Maltezët duan fitoren ndaj Shqipërisë dhe janë të bindur se mund ta bëjnë një gjë të tillë. Presidenti i Federatës së Futbollit të Maltës, Xhozef Mifsud, nuk u ka lënë shumë mundësi futbollistëve maltezë para sfidës së radhës, asaj me Shqipërinë. Mifsud ka pohuar se humbja me kuqezinjtë nuk duhet të ndodhë. Madje, sipas tij, një rezultat pozitiv në këtë ndeshje nuk është vetëm dëshirë, por obligim.

Ndeshja eliminatore për Botërorin “Afrika e Jugut 2010” do të zhvillohet më 11 shkurt në Ta’Qali (19:30). Përfaqësuesja e Maltës në katër ndeshje të zhvilluara nuk ka marrë asnjë pikë të vetme. “Një rezultat pozitiv kundër Shqipërisë nuk është dëshirë, por obligim për kombëtaren tonë, - ka deklaruar Mifsud, përcjell gazeta “Timesofmalta” të mërkurën. - E di se në futboll nuk mund të parashikosh asgjë, por kam besim se përballë Shqipërisë mund të marrim rezultat pozitiv”.

Në të vërtetë, dëshira e maltezëve edhe mund të realizohet, pasi Kombëtarja shqiptare ka probleme të mëdha para kësaj sfide. Lorik Cana, Altin Lala e Arian Beqaj janë të dëmtuar. Deri tani vetëm Beqaj ka dhënë sinjale se mund të jetë në formacion për ndeshjen e 11 shkurtit. Telashe të tjera për trajnerin e Shqipërisë, Ari Han, paraqet edhe forma jo e mirë e lojtarëve.

Shumë nga lojtarët titullarë të Kombëtares nuk janë titullarë në ekipet e tyre. Holandezi Han do ta publikojë nesër listën e lojtarëve që do të luajnë kundër Maltës. Ndeshjen e parë të zhvilluar në Tiranë, Shqipëria e pati fituar me shifrat 3-0. Përveç kësaj fitoreje, Kombëtarja jonë ka arritur edhe dy barazime kundër Suedisë (0-0) dhe Portugalisë (0-0) dhe ka humbur një herë kundër Hungarisë (2-0).

Trajneri

Trajneri i Maltës, Dushan Fitzel, ka thënë se skuadra e tij e ka marrë shumë seriozisht sfidën e radhës me Shqipërinë dhe shpreson që në këtë takim maltezët të marrin një rezultat pozitiv. Ai ka bërë publike listën e emrave, por në të mungojnë dy lojtarët kryesorë: sulmuesi Majkëll Mifsud dhe qendërmbrojtësi Daniel Bogdanoviç. Të dy futbollistët mungojnë për shkak se janë të dëmtuar.

“Sot (dje) do të zhvillojmë një ndeshje miqësore kundër skuadrës Ferencvaroshit, që do të jetë për ne edhe një test para ndeshjes me Shqipërinë, më 11 shkurt. Ky është një rast i mirë që ne të mund të marrim pikët e para në këtë edicion dhe mendojmë se i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë një gjë të tillë, pasi skuadra gëzon një formë të mirë”, ka thënë trajneri i Maltës.

Lista e Maltës
Portier- J. Haber, A. Hogg, M. Muscat.
Mbrojtës - A. Agius, I. Azzopardi, R. Briffa, L. Dimech, C. Failla, A. Muscat, B. Said, K. Scicluna, A. Xuereb.
Mesfushorë - S. Bajada, R. Fenech, G. Mallia, J. Pace, G. Agius, I. Ëoods, K. Sammut.
Sulmues - C. Frendo, A. Cohen, J.P. Mifsud, T. Scerri.

Mungesat
Maltës do t’i mungojë lojtari më i rëndësishëm dhe njëkohësisht më i dëgjuari në arenën ndërkombëtare: Majkëll Mifsud. Sulmuesi që aktivizohet te Barnslei ka pësuar një dëmtim dhe kthehet në muajin prill. Përveç të ashtuquajturit “mushkonja”, do të mungojë edhe qendërmbrojtësi Daniel Bogdanoviç.

Ndeshja
Shqipëria e fitoi 3-0 ndeshjen e parë ndaj Maltës, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Afrika e Jugut 2010”. Golat e kuqezinjve në ndeshjen e luajtur më 6 shtatorin e shkuar në Tiranë u shënuan nga Bogdani, Duro e Dallku. Shqipëria është përballur gjithsej pesë herë me Maltën, ku ka fituar katër herë dhe ka barazuar njëherë.

2
Mungesa të rëndësishme do të ketë edhe Shqipëria në këtë ndeshje. Mesfushorët shkatërrues, Altin Lala dhe Lorik Cana nuk do të jenë në dispozicion të Ari Hanit për sfidën e radhës për shkak të dëmtimeve.

Grupi 1
Skuadra    ND     F     B     H     G+     G-    P
Danimarka    3         2     1     0     6     2     7
Hungaria     4         2     1     1     4     2     7
Portugalia     4         1     2     1     6     3     5
Shqipëria     4         1     2     1     3     2     5
Suedia    3         1     2     0     2     1     5
Malta     4         0     0     4     0     11     0

E Enjte, 05 Shkurt 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›