Partizani, “killeri” i trajnerëve kroatë Një fakt bashkon Daliçin, Slishkoviçin dhe Kataliniçin: të tre këta janë larguar pasi kanë humbur me Partizanin, që tashmë mund të konsiderohet një “killer” i trajnerëve kroatë.

Zlatko Daliç ishte i fundit i trajnerëve kroatë që ka drejtuar Dinamon, ose më saktë i pesti trajner nga atdheu i Oto Bariçit që ka drejtuar në Shqipëri. Ish-trajneri i Kroacisë U-21, Zlatko Daliç dha dorëheqjen pas humbjes 1-0 me Partizanin, në javën e 19-të sezonit 2008-2009.
Historia e trajningut kroat në Shqipëri është e dhimbshme, pavarësisht se formimi i tyre ka qenë ndër më të profesionalët që kanë drejtuar në Shqipëri. “Viktimat” kroate janë prodhim sa i moskuptimit të “undergroundit” sportiv shqiptar, por dhe pafatësisë në rezultate, por që “çuditërisht” lidhen me emrin e Partizanit.
I pari, Luka Bonaçiç, i mbiquajtur “diktatori i hekurt”, rezistoi vetëm një javë kampionat, pasi dha dorëheqjen pas barazimit 2-2 të Dinamos në Lushnjë, në sezonin 2005-2006.
Edhe Ivan Kataliniç, i cili së fundi mbërriti në Shqipëri si trajneri i skuadrës boshnjake Shiroki Brijeg në ndeshjen kundër Partizanit në turin e parë eliminator të Kupës UEFA, nuk arriti të mbijetonte te Dinamo në sezonin 2005-2006. “Ivani i tmerrshëm” i shkarkua si trajner i Dinamos, më 29 janar 2006, menjëherë pas humbjes 1-0 me të kuqtë në javën e 21-të të sezonit 2005-2006.
Ish-ndihmësi i trajnerit përfaqësueses së Shqipërisë, Oto Bariç, Slavko Kovaçiç është me jetëgjati në kohë, pasi Kova në stolin e Flamurtarit drejtoi një pjesë të mirë të sezonit 2007-2008 dhe disa javë në sezonin 2008-2009.
Kroati Slavko Kovaçiç dha dorëheqjen nga Flamurtari pas barazimit të bardhë me Bylisin në Vlorë (java e 9-të e këtij sezoni), duke u bërë i pari i larguar nga tre trajnerët kroatë që drejtojnë në Shqipëri këtë sezon.
Boshnjako-kroati Blaz Slishkoviç, i mbiquajtur “Murinjo shqiptar” për shkak të metodave raskapitëse stërvitore dhe “rethimit” të fushës stërvitore të Tiranës, nuk e pati të gjatë me bardheblutë.
Edhe Blaz Slishkoviç dha dorëheqjen pas javës së 14-të pas një barazimi të dhimbshëm më Partizanin, 2-2.
Një fakt bashkon Daliçin, Slishkoviçin dhe Kataliniçin: të tre këta janë larguar pasi kanë humbur me Partizanin, që tashmë mund të konsiderohet një “killer” i trajnerëve kroatë.
E Enjte, 05 Shkurt 2009