E Shtunë, 31 Tetor 2026

Devolli dhe Selimaj, heronjtë e Luftëtarit në Kukës

Dy minuta para fundit kuksianët barazojnë me Thanën, ndërsa Hamzai ka humbur një 11-metërsh. Pas ndeshjes ka edhe incidente

Kukësi Luftëtari  1-1

Shënues: Thana 88 / Lluka 8

Kukësi: Koçi, Berberi, Lila, Prençi, Rexhepi, Lena, Jevdeviç, Thana, Mziu (Kola 73), Malo, Hamzai. Trajner: Sh.Berberi.

Luftëtari: Selimaj, Sinani, Nino, Baci, Devolli, Lluka, Strati, Çaço (Braho 67), Mersini, Rraboshta (Hithi 80), Nora. Trajner: N.Dede.

Gjyqtarë: L.Jemini, D.Rexha, R.Avdo (Tiranë)

Kartonë të verdhë: Strati, Selimaj, Thana

Kukësi ka barazuar në fushën e tij me rezultatin 1-1, duke zhgënjyer mbi 10 mijë tifozë, që kishin mbushur fushën sportive. Të ardhur edhe nga zona e Prizrenit dhe nga fshati Zhur, fshati më i madh në trojet shqiptare, me rreth 25 mijë banorë, ata kanë brohoritur për 90 minuta për Kukësin, megjithatë rezultati i ka zhgënjyer.

Vendësit luajnë me emocione, megjithatë e vizitojnë portën e Selimajt që në fillim, por ai pret pa vështirësi. Pas një minute gjirokastritët kundërpërgjigjen, por pa mundur të shënojnë. Goli i Luftëtarit vjen në minutën e 8-të, pas një aksioni model të gjirokstritëve. Lluka gjuan nga rreth 20 metra në ecje e sipër dhe përshëndet rrjetën, duke bërë të heshtin 10 mijë tifozë. Pas golit janë përsëri miqtë që humbasin një rast të pastër me Çaçon. Kuksianët reagojnë në minutën e 15-të me Malon, por Selimaj pret në pozicion.

Menjëherë kundëpërgjigjen miqtë me Norën, që gjuan fort dhe topi kalon ngjitur me shtyllën pingule, ndërsa Jevdeviç shpërdoron pas një goditjeje dënimi. Kapiteni Devolli thyen me sukses sulmet e vendësve, ndërsa në të 32-ën ekzekuton një goditje dënimi, por topi përfundon mbi tra. Në fund të pjesë së parë Kukësi ka dy raste të pastra shënimi dhe mbrojtja gjirokstrite gati sa nuk shkakton autogol.

Hamzai ka mundësinë ta barazojë rezultatin, por topi i është rrëmbyer nga mbrojtja mike. Pjesa e dytë nis me sulmet e vendësve, por ndërhyrjet e Devollit janë vendimtare. Çaço del i vetëm me portierin Koçi dhe nuk shënon, pasi topi i merret nga mbrojtja vendëse. Rastin më të pastër për të barazuar Kukësi e ka në minutën e 62-të, kur gjyqtari Jemini akordon një 11-metërsh. Përballë Selimajt vihet Hamzai, i cili e dërgon topin disa metra mbi traversë.

Pas humbjes së 11-metërshit kuaksianët sulmojnë me Malon, por pret portieri mik, që zgjdh shumë situata të vështira. Gjirokastritët sulmojnë me Mersinin, që nuk arrin ta mposhtë portierin Koçi. Vendësit janë gjithmonë në këkrim të golit të barazimit, por edhe Luftëtari rrezikon seriozisht me anë të Norës, i cili del i vetëm me portierin e Kukësit, por gjuan jashtë.

10 minutat e fundit flasin për Kukësin, që sulmon me shumë forca. Hamzai humbet një rast të pastër pranë portës, kurse goli i barazimit shënohet në rrëmujë e sipër nga Thana dhe gjithçka mbyllet 1-1. Për kuksianët gjithçka do të vendoset javën e fundit, në ndeshjen me Lushnjën, rivalin e drejtpërdrejtë.

Trajnerët

Nevil Dede, trajner i Luftëtarit: E kishim vlerësuar këtë ndeshje, pasi përcaktohej titulli kampion. Arritëm të shënojmë shumë shpejt dhe kjo na mbushi me optimizëm dhe vendosmëri për ta ruajtur rezultatin. Kukësi në pjesën e dytë luajti më mirë. Humbi një 11-metërsh dhe barazoi në fund. Tani jemi kampionë dhe Kukësi problemin e ngjitjes direkt në superligë duhet ta zgjidhë në ndeshjen direkte me Lushnjën. Më vjen keq që mijëra tifozë kuksianë nuk shijuan fitoren, por vetëm barazimin.

Të veçanta

- Ndeshja është transmetuar direkt nga Supersport, ndërkohë që në qytet janë fikur dritat pjesën e parë. Kjo është bërë, me sa duket, që tifozët të vijnë në stadium.

- Në fund kameramnët janë sulmuar nga një tifoz vendës, që ka hequr kabllat, pasi po filmonte ngjarjet në fund të ndeshjes.

- Në ndeshjen më të rëndësishme të kësaj jave kanë qenë dhjetra forca policore, madje edhe nga ato speciale. Ndeshjen e ka ndjekur edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Në fund forcat speciale kanë marrë në mbrojtje ekipin mik deri tek autobusi. Me furgonin e forcave speciale është shoqëruar edhe trajneri i Kukësit, Shahin Berberi, si dhe disa futbollistë vendës.

- Pas përfundimit të ndeshjes, futbollistët kuksianë kanë mësuar për fitoren e Lushnjës dhe janë shtrirë të gjithë në fushë.

Sulmohen Mziu dhe Rexhepi, përfundojnë në spital

Në fund të ndeshjes është plagosur në pulpë me mjete të mprehta futbollisti i Kukësit, Sokol Mziu, ndërsa futbollisti tjetër, Klaudio Rexhepi, është plagosur në kokë me mjete të forta. Të dy futbollistët janë transportuar me autombulancë në spitalin e qyteti, ku kanë marrë ndihmën e parë dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Policia nuk ka bërë të ditura detaje të tjera, përveçese faktit se Mziu është plagosur me mjete të mprehta, ndërsa Rexhepi me mjete të forta.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›