E Shtunë, 31 Tetor 2026

Man Utd, afër shitjes

Manchester United mund të shitet në një të ardhme të afërt. Borxhi i fryrë, që ka klubi anglez, mund ta shtyjë familjen Glazer ta shesë klubin nga Old Trafford. Katar Holdings, i udhëhequr nga Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani, përkatësisht nga familja mbretërore e Katarit, është i gatshëm të paguajë 1.5 miliardë funte për ta blerë gjigantin anglez. Nga Express më 23 dhjetor 2010 në ora 09:28

E ardhmja e Manchester United është vënë në dyshim, pasi familja Glazer, pronare e gjigantit anglez, mund ta shesë këtë klub. Drejtori ekzekutiv i klubit nga Old Trafford, Mike Edelson, nuk e ka përjashtuar këtë mundësi. “Nuk është sekret se dikur familja do ta shesë klubin”, ka thënë Edelson për tabloidin britanik The Sun.

Dhe, kjo ia ka hapur dyert familjes mbretërore të Katarit, e udhëhequr nga Sheikh Hamad bin Khalifa Al Thani, i cili është i gatshëm të paguajë 1.5 miliard funte, për ta blerë klubin anglez.

Sipas Edelson, familja Glazer mund t’i dëgjojë ofertat që vijnë për United, të cilin ata e kanë futur në borxh. Familja amerikane Glazer e bleu klubin nga Premierliga për 790 milionë funte pesë vjet e gjysmë më parë, ndërsa ‘Yanks’ tash mund t’i dyfishojë paratë e shpenzuara në rast të shitjes.

Zërat që arrijnë nga qyteti i Manchesterit janë të bindur se Glazers janë të gatshëm të shesin, pasi ata paguan 252 milionë funte nga 752 milionë sosh, nga borxhi që janë të ngarkuar.

Ekspertët financiarë të futbollit nga Lindja e Mesme i kanë raportuar SunSportit se Katar Holdings – krahu i biznesit të familjes mbretërore të shtetit arab, sillen rreth United në pritje për të goditur.

“Ata më parë kanë bërë disa tentativa për të lëvizur, por me pak sukses. Këtë radhë duket se do të shkojnë deri në fund. Tash, Katari e ka fituar organizimin e Botërorit 2022 dhe ky vend dëshiron ta zgjerojë ndikimin e tij në këtë sport përreth globit”, thotë një burim.

Anëtari i bordit të United, Edelson, ishte njeriu më i besueshëm, që kur Glazers e morën klubin në dorë në vitin 2005.

Familja mbretërore e Katarit ka një pasuri prej 40 miliardë funtesh. Javën e kaluar, kjo familje u bë sponsori i parë i Barcelonës për fanella, duke nënshkruar kontratë prej 125 milionë funtesh me gjigantin katalunas.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›