E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zeqiri, mbret i boksit

Për të dytën herë rresht, Liridon Zeqiri është shpallur boksieri më i mirë i vitit nga Federata e Boksit e Kosovës, e cila të mërkurën i shpalli laureatët e saj për vitin 2010. Ndërsa në konkurrencën e femrave, ky epitet i takoi Fatlume Ahmetit, derisa Prizreni është shpallur klubi më i mirë i vitit. Nga Valon Konushevci më 23 dhjetor 2010 në ora 11:51

Liridon Zeqiri është zgjedhur boksieri më i mirë i vitit 2010 nga Federata e Boksit e Kosovës (FboxK), e cila të mërkurën i ka shpallur laureatët e saj të vitit. Këtë çmim, Zeqiri e fitoi për të dytin vit rresht, pasi 19 vjeçari edhe në vitin 2009 qe shpallur boksieri më i mirë i shtetit nga ana e shtëpisë së boksit kosovar.

Gjatë këtij viti, Zeqiri triumfoi në shtatë meçe në garat e organizuara nga FboxK, derisa e ka pësuar vetëm një humbje. Ai ka shënuar dhjetë fitore prej dymbëdhjetë meçeve sa i ka zhvilluar në garat ndërkombëtare.

“Ky çmim është edhe një motiv shtesë për mua. E falënderoj shumë trajnerin tim, i cili ka punuar shumë në ngritjen e cilësive të mia. Shpresoj që edhe në të ardhmen do të vazhdoj të korr suksese si në garat vendore, ashtu edhe nëpër gara ndërkombëtare, në mënyrë që edhe në vitin 2011 të shpallem boksieri më i mirë kosovar”, ka deklaruar Zeqiri pasi u shpall boksieri i vitit 2010.

Pas Zeqirit në vendin e dytë është radhitur Burim Hasani, kurse boksieri i tretë i vitit u shpall Fatos Ferizi. Në kategorinë e juniorëve, boksieri më i mirë është zgjedhur Armend Xhoxhaj, kurse vendi i dytë i takoi Besart Xhafës. Ndërkohë, shpresa e boksit kosovar u shpall Fisnik Muharremi.

Në konkurrencën e femrave boksierja më e mirë e vitit është shpallur Fatlume Ahmeti, e cila pas vetes la Albulena Gubetinin, Marigona Beadinin dhe Minavere Hysenin.

FboxK e ka zgjedhur edhe trajnerin më të mirë të vitit në Kosovë. Ky epitet i takoi Shefki Bogujevcit, derisa klubi më i mirë i vitit 2010 është zgjedhur ai i Prizrenit. Gjyqtari më i suksesshëm kosovar është shpallur Latif Demolli, derisa epiteti i punëtorit sportiv i ka takuar Sylejman Vocës.

FboxK mirënjohje u ka ndarë edhe mbështetësve të aktiviteteve të saj, por edhe mediave kosovare.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›