E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti 2010, historik

Presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter, vlerëson se në vitin 2010 ka ndodhur diçka historike në futbollin botëror. Kreu i futbollit botëror ndihet i lumtur që shkoi si duhet Botërori që u mbajt në Afrikën e Jugut dhe më shumë se i gëzuar që Botërori 2018 dhe ai 2022 do ta mbahen në territore të reja. Nga Express më 23 dhjetor 2010 në ora 09:27

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), Joseph Blatter, e ka bërë bilancin e vitit që po përfundon, ndërsa ka folur edhe për objektivat e vitit 2011.

Sipas numrit një të futbollit botëror, vitin 2010 e kanë përshkuar gjëra historike, pasi ndodhën shumë ngjarje që organizoi ky institucion, përfshirë këtu edhe evenimentin më të rëndësishëm në botën e futbollit, Kampionatin Botëror, të cilin e fitoi Spanja.

“Fillimisht mund të flas për rëndësinë që e sollëm Kupën e Botës në Afrikë, që është një sukses i jashtëzakonshëm. Ndikimi në botën e atjeshme ishte fenomenal. Në vitin 2004, kur ky kompeticion u vendos të mbahej në Afrikën e Jugut, kishte mëdyshje, ndërsa më pas të gjithë e kuptuan rëndësinë e këtij vendi”, u shpreh kreu i FIFA-s.

Përpos kampionatit botëror Afrika e Jugut 2010, viti që po përfundon e ka shënuar edhe organizimin e Botërorit 2018 dhe atij 2022. Të drejtën për ta mirëpritur të parin e fitoi Rusia, kurse të dytin Katari, edhe pse këto vende kishin konkurrencë mjaft të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japonia dhe Anglia.

“E kemi dërguar Kampionatin botëror në territore të reja. Botërori i vitit 2018 do të kalojë në Evropën orientale, në Rusinë e madhe, ndërsa më pas, më 2022 në botën arabe, në Katar. Kupa e botës do të mësojë kultura të reja në vende të reja. Nuk mund të mos gëzohem me këtë fakt”, përfundoi Blatter.

Angazhimi i radhës i FIFA-s do të jetë organizimi i çmimit ‘FIFA Topi i Artë 2010’, të cilin shtëpia e futbollit botëror do ta organizojë për herë të parë në bashkëpunim me revistën franceze “France Football” në fillim të vitit që vjen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›