Manaj: Shpresojmë të shënojmë sa më shumë ndaj San Marinos

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Rey Manaj, e konsideron San Marinon një kundërshtar të lehtë, por thekson se Shqipëria duhet ta nisë ndeshjen me intensitet të lartë për të siguruar fitoren.
Në konferencën zyrtare për shtyp para sfidës së nesërme me San Marinon, Manaj tha se kuqezinjtë duhet të kërkojnë zhbllokimin e takimit që në minutat e para.
“Ndeshjen me San Marinon varet si e marrim. Është një kundërshtar i lehtë, por varet si do futemi në fushë. Pas ndeshjes në Finlandë, është ndeshje e lehtë. Ne do futemi që në fillim për ta mbyllur ndeshjen dhe për të marrë fitoren”, deklaroi Manaj.
Sulmuesi u shpreh se objektivi kryesor është shënimi i golave, pavarësisht mënyrës se si vijnë.
“Për ne kryesore është të shënojmë. Nuk ka rëndësi nëse vjen nga goditjet standarde apo me aksion. Rëndësi ka të shënojmë dhe të fitojmë”, tha ai.
Manaj kujtoi edhe ndeshjen ndaj Andorrës, ku Shqipëria e gjeti golin në një moment të vonë, duke nënvizuar se ndaj San Marinos skuadra duhet të synojë të shënojë sa më shpejt dhe sa më shumë.
“Duhet të futemi në fushë fort dhe të mendojmë që nga fillimi për të zhbllokuar. E kemi parë me Andorrën, ekip më i dobët se ne, por shënuam vonë. Shpresojmë të shënojmë më shumë se ekipet e tjera”, u shpreh ai.
Duke folur për grupin, Manaj vlerësoi përmirësimin e skuadrës dhe frymën kolektive, duke theksuar se lojtarët vendosin interesin e ekipit mbi atë personal.
“Me të gjithë lojtarët loja shkon mirë. Grupi është shumë i mirë dhe është përmirësuar. Çdo lojtar që zgjedh trajneri, mendon për ekipin para gjërave personale”, tha Manaj.
Në fund, sulmuesi foli edhe për mundësinë e thyerjes së rekordit personal të golave, duke theksuar se prioritet mbetet fitorja e Shqipërisë.
“Dëshira do ishte e madhe ta thyej rekordin e golave këtë ndeshje. Megjithatë, rëndësi ka që ekipi të fitojë. Vitin e fundit kam bërë pesë gola. Në të kaluarën nuk kam qenë stabël, edhe për shkak dëmtimesh. Gjërat po shkojnë mirë tani”, përfundoi ai.
Shqipëria do të përballet me San Marinon nesër, më 6 tetor, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”, në kuadër të ndeshjeve të UEFA Nations League.
/gj.m/j.p/