E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ligjet” miratojnë në parim ndarjen territoriale, opozita kundër

TIRANË, 5 tetor/ATSH-Maela Marini/ Komisioni i Ligjeve miratoi sot në parim me 8 vota pro dhe 5 kundër nismën e mazhorancës për ndarjen administrativo-territoriale.

Në vijim pritet edhe miratimi nen për nen dhe në tërësi i projektligjit për t’ia kaluar pastaj për votim seancës plenare, më 8 tetor.

Ashtu si edhe në mbledhjet e mëparshme, deputetët e opozitës vijuan kundërshtimin e hartës së re territoriale të propozuar nga mazhoranca, duke kërkuar ndërprerjen e procesit të shqyrtimit të një nisme të njëanshme.

Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi e konsideroi procesin në shkelje të Kushtetutës dhe interesit të qytetarëve.

“Është depozituar një tjetër projektligj nga deputetët e PD-së në lidhje me një ndarje tjetër territoriale. Ne kemi kërkuar të bashkohen të dy proceset në një të vetëm dhe ju keni refuzuar”, tha Bylykbashi, ndërsa akuzoi mazhorancën për sabotimin e qëllimshëm të procesit të konsultimit në kohë të nismës së PD-së, e cila sipas tij, nuk është dërguar ende në bashkinë e Durrësit.

Bylykbashi theksoi se nisma e PD-së nuk i shkrin bashkitë, por i ruan dhe krijon bashki të tjera për t’i çuar më afër qytetarëve.

“Kuvendi në mënyrë të qëllimshme po pengon iniciativën legjislative të opozitës që ajo të mos konsultohet”, shtoi ai.

Bylykbashi theksoi se ky projektligj nuk mund të ketë kurrsesi mbështetjen e opozitës, pasi është në shkelje të Kushtetutës për sa i takon parimit për ndarjen territoriale.

“Ju keni marrë një vendim politik sot në grup parlamentar që i mbivendoset Kushtetutës. Kambana e fatit të keq për ato 15 bashki tashmë ka rënë. Masakruat bashkitë para 12 vitesh nga 373 bashki dhe komuna i bëtë 61 dhe tani vazhdon projekti i Edi Ramës për ta kthyer Shqipërinë në një bashki të vetme. Ne po asistojmë fundin e një procesi ku pushteti synohet të çohet në dorë të një individi të vetëm”, shtoi ai.

Bylykbashi kujtoi se pjesa dërrmuese e këshillave bashkiakë në bashkitë që do të preken nga ndarja e re territoriale janë shprehur kundër. Ai akuzoi mazhorancën se po kërkon të zhdukë mundësitë e opozitës për të bërë një betejë të ndershme dhe po kërkon të fitojë në tryezë duke ndryshuar rregullat pak para zgjedhjeve. “Po e bëni në mënyrë të njëanshme vetëm për të përqendruar pushtetin në dorë të një personi. Kushtetua ju detyron të konsultoheni me njerëzit që e kundërshtojnë”, tha ai.

Edhe deputeti i PD-së Enno Bozdo u shpreh se nuk është normale që bashkitë që protestojnë nuk janë dëgjuar. “Asnjë argument i tyre nuk është marrë parasysh. Nuk mundet që me një të rënë të lapsit të zhdukësh 15 bashki. Jeni ende në kohë ta bllokoni këtë procedurë. Nga ana e opozitës nuk ka pasur asnjëherë ndonjë qëllim për ta bllokuar reformën territoriale, por kemi synuar të propozohet varianti më i mirë i mundshëm për njerëzit”, shtoi ai.

Bozdo solli në vëmendje rastin e Sllovenisë, vend anëtar i BE-së e cila ka 212 bashki me të njëjtën popullatë si Shqipëria.

Nga ana e tij, bashkëkryetari i komisionit të posaçëm për reformën administrativo-territoriale, Arbjan Mazniku sqaroi se Kushtetuta e përcakton qartë mënyrën se si funksionojnë institucionet e pushtetit vendor.

“Neni 108 i Kushtetutës thotë se njësitë e qeverisjes vendore janë komunat ose bashkitë dhe qarqet. Njësitë të tjera të qeverisjes vendore rregullohen me ligj. Pra ky nen nuk ka si synim të emërojë llojet e pushtetit vendor, por ka synim të caktojë rendin dhe nivelin”, shtoi ai.

Ndërsa deputetja e PS-së Aulona Bylykbashi nënvizoi rëndësinë e kësaj reforme, e cila sipas saj, ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

“Ky është një proces njëvjeçar i cili ka filluar në fund të tetorit të vitit që shkoi dhe që sot është konkretizuar në një nismë të depozituar nga deputetët e mazhorancës. Nisma ka ardhur si rezultat i një analize të thelluar të të gjithë faktorëve ekonomikë, financiarë, demografikë dhe të traditës historike”, tha Bylykbashi.

Deputetja e PS-së shprehu bindjen se kjo reformë është e duhura dhe se shkon në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve.

“Ne si mazhorancë do kishim dashur shumë që kjo punë të ishte produkt i një konsensusi të përbashkët me opozitën. Kjo ishte një arsye pse ai komision filloi si një komision në paritet, një komision me bashkëdrejtim, duke dhënë të gjithë hapësirën dhe mundësitë që çdo argument edhe çdo propozim të vinte nga të dyja palët. Por nuk e patëm këtë mundësi se asnjëherë opozita nuk na jep shansin që të kemi një proces të tillë ku diskutojmë dhe nxjerrim një produkt mbi bazën e analizave dhe fakteve”, shtoi ajo.

Bylykbashi theksoi se qëllimi i reformës është të krijojë njësi të qeverisjes vendore më eficiente dhe të afta të konkurrojnë dhe të përfitojnë nga fondet e BE-së.

Sipas saj, 70% e legjislacionit të Bashkimit Europian është një legjislacion i zbatueshëm në nivel vendor.

“Analiza na tregoi rrugës që jo të gjitha bashkitë kishin mundësi që të kishim burime njerëzore të këtij niveli. Bashkimi i disa bashkive në një të vetme do ta sigurojë këtë. Po ashtu, pavarësisht ndryshimit të kufijve, asnjërës nga bashkitë të cilat i bashkohen bashkisë qendrore, nuk do t’i ndryshojë identiteti dhe këtë e garanton ligji. Ato do të ruajnë emërtimet dhe simbolet e tyre dhe do të jenë qytete të cilat do të kenë një përfaqësim proporcional në raport me popullsinë e tyre”, shtoi ajo.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›