E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Manastirliu: Mbi 5 mijë nëna përfituan nga programi i mbështetjes me sigurimet shëndetësore dhe shoqërore

Vetëm në muajin janar 5210 nëna përfituese nga programi i mbështetjes me sigurimet shëndetësore dhe shoqërore për nënat e papuna me tre ose më shumë fëmijë.

Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë një takimi me gratë përfituese të programit të ri të mbështetjes për nënat me shumë fëmijë në Korçë. “Kjo është një politikë universale që buroi nga Këshillimi Kombëtar për mbështetjen e nënave me shumë fëmijë” tha zonja Manastirliu. 

Pas nismës së Këshillimit Kombëtar, qeveria Rama miratoi programin e mbështetjes për nënat e papuna me tre apo më shumë fëmijë të mitur. 

Kjo paketë mbështetëse  garanton mbrojtje sociale të barabartë, mirëqënie sociale, mbrojtje të rolit të gruas dhe fuqizimin e saj brenda familjes. 

Në thelb ajo vlerëson punën e papaguar, me qëllim mirërritjen e fëmijëve të mitur që nga lindja e tyre deri në moshë parashkollore, si edhe duke njohur kontributin e punës së papaguar. 

Përgjatë muajit janar mbi 8 mijë nëna kanë aplikuar nëpërmjet portalit e-albania. Ministrja e Shëndetësisë tha se mbështetja e qeverisë me programet sociale për shtresat në nevojë do të vijojë.

Kjo politikë e re përmirëson cilësinë e jetesës brenda familjeve shqiptare dhe gjithashtu pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e shkallës së lindshmërisë në vend.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›