Manastirliu: Plani “Tirana 2030”, i prekshëm për çdo komunitet

TIRANË, 29 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kandidatja e propozuar nga Partia Socialiste për kryetare bashkie në Tiranë, Ogerta Manastirliu vijoi sot takimet me banorët të njësisë bashkiake dy në kryeqytet.
Gjatë takimeve me banorë dhe me zanatçinj e sipërmarrës në zonën e “Pazarit të Ri”, në rrugët “Tefta Tashko Koço”, “Luigj Gurakuqi” e “Hoxha Tahsin”, Manastirliu bashkëbisedoi me ta për përmirësimet që do të bëhen në çdo lagje të qytetit, me planin e zhvillimit “Tirana 2030”.
“Lagje më lagje, rrugë më rrugë, për të dëgjuar qytetarët dhe për të folur se si mund ta bëjmë Tiranën edhe më të mirë bashkë, një Tiranë që kujdeset për njerëzit”, u shpreh Manastirliu.
Manastirliu theksoi se me programin “Tirana 2030” do të ketë zhvillim të qëndrueshëm në çdo njësi të kryeqytetit dhe kujdes social për çdo grup-moshë.
“Plani ynë Tirana 2030 do të jetë i prekshëm për çdo komunitet dhe do të shkojë në çdo lagje të qytetit”, tha Manastirliu.
Kandidatja e propozuar nga Partia Socialiste për bashkinë e Tiranës vijon takimet në çdo lagje, për të dëgjuar banorët dhe për të folur për planin e saj Tirana 2030, një qytet që kujdeset për fëmijët, të moshuarit dhe çdo familje.
1 nga 3/a.f/r.e/