E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Manastirliu: SmartLab i ri në shkollën “Androkli Kostallari” për 263 nxënës të klasave I dhe II

TIRANË, 16 dhjetor/ATSH/ Në shkollën “Androkli Kostallari” në Shkozë u përurua SmartLab-i i ri modern, i pajisur me 19 laptopë që do t’u shërbejë për zhvillimin e njohurive digjitale të 263 nxënësve të klasave të para dhe të dyta të kësaj shkolle.

Në përurimin e këtij SmartLab-i ishte e pranishme edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Ky është një prej 50 laboratorëve të rinj inteligjentë në shkollat e Tiranës, të pajisura me laboratorë Smart, ndërsa në shkallë kombëtare janë 300 laboratorë të instaluar falë bashkëpunimit me AADF dhe Bankën Botërore.

Objektivi është që brenda dy viteve të ardhshme të pajisen më laboratorë edhe mbi 600 shkolla të tjera.

Ministrja Manastirliu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit në rritjen dhe zhvillimin e nxënësve.

“Angazhimi mes mësuesve, prindërve dhe nxënësve është thelbësor. Ne synojmë të pasurojmë kalendarin e aktiviteteve shkollore dhe jashtëshkollore për të lidhur fëmijët tanë sa më shumë me shkollën, proceset edukative dhe argëtimin”, theksoi Manastirliu.

Në bisedat me mësuesit e shkollës Ministrja u ndal dhe te hartimi i planit të veprimit për të fuqizuar mekanizmat e sigurisë në shkolla.

“Ne kemi në total 276 oficerë të sigurisë në shkolla dhe jemi duke hapur një thirrje të re për përzgjedhjen e oficerëve të rinj. Pas përzgjedhjes, ata do t’i nënshtrohen trajnimeve të posaçme nga Akademia e Forcave të Policisë, duke siguruar që të jenë të përgatitur për parandalimin e çdo forme dhune, brenda dhe jashtë perimetrit të shkollës”, tha Manastirliu.

Manastirliu u shpreh se janë rreth 200 klasa në të gjithë Shqipërinë që janë të pajisura me SmartLab.

Përmes këtyre investimeve MAS po i jep mundësinë 35 mijë nxënësve që të rrisin aftësitë e tyre përmes teknologjisë.

Investimi në SmartLabs do të vijojë në 600 shkolla të tjera në dy vitet në vijim.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›