E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Manastirliu te Koço Glozheni: Drejt përfundimit rehabilitimi i Urgjencës. Do ngremë Qendrën e Riprodhimit të Asistuar

Faza e parë e investimit në Maternitetin “Koço Glozheni” për rehabilitimin e Urgjencës është drejt përfundimit. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka inspektuar nga afër punimet, duke thënë se falë këtij investimi do garantohet një standard i ri për nënat dhe të porsalindurit.

“Ky është një spital, i cili riorganizohet pas këtij investimi, me një strukturë të re pritëse, me një strukturë të re shërbimi urgjence, ku do të kemi një pritje adekuate për të gjitha gratë shtatzëna apo që marrin shërbin shërbime në këtë strukture, e mbi të gjitha do të kemi mundësi edhe për optimizimin e shërbimit, pra gjithë stafet mjekësore do të qëndrojnë tashmë të organizuar në këto struktura që ne po adaptojmë në mënyrën më të mirë funksionale,” tha Manastirliu.

Ministrja bëri me dije gjithashtu se po punohet edhe për ngritjen për herë të parë të Qendrës së Riprodhimit të Asistuar, dhe se brenda vitit ky projekt do të bëhet operacional.

“Puna nuk po ndalet dhe për Qendrën e Riprodhimit të Asistuar, ku brenda këtij viti, ashtu sikurse kishim premtuar, do të fillojmë këtë procedurë të re. Ne jemi duke punuar për investimin sa i përket infrastrukturës, e më tej, pajisjet bio-mjekësore dhe të gjithë paketën e barnave të cilat janë të nevojshme, për të filluar riprodhimin e asistuar për herë të parë në spitalet publike. Jemi duke punuar për përgatitjen e stafit dhe për fuqizimin e kapaciteteve në këtë drejtim, në mënyrë që të kemi dhe një ekip të mirë-trajnuar, i cili do të vazhdojë edhe edukimin në vazhdim përsa i përket këtyre procedurave, të cilat, për herë të pare, do të realizohen në spitalin publik, pikërisht në Maternitetin ‘Koço Gliozheni’,” u shpreh ministrja.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›