E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançester Junajtid në sulm për Hulio Sezarin

Aleks Ferguson po tenton të “vjedhë” Hoze Mourinjon, që për shumë njerëz është trajneri që do ta zëvendësojë atë në drejtimin e Mançester Junajtid. Sër Aleksi kërkon të marrë Hulio Sezarin. Kjo iniciativë është bërë e ditur nga gruaja e portierit brazilin, Suzana Verner.
 
Ajo ka shkruar në lidhje me projektet familjare në faqen e saj personale në internet: vazja ndoshta nuk ka menduar se fjalët e shkruara në gjuhën portugeze do të kishin patur një efekt të menjëhershëm në shtypin ndërkombëtar.

“Eshtë një javë me emocione të mëdha: djali im (djali i parë Koe) ka festuar ditëlindjen e shtatë ndërsa bashkëshorti im ka marrë shumë kërkesa nga një klub i madh. Të gjitha këto na bëjnë të lumtur”, shkruan ajo.

Suzana nuk e ka përmendur emrin e klubit që është i interesuar për burrin e saj, por në fundin e komentit ka përfshirë disa tituj artikujsh (nga Italia dhe nga vende të tjera), që flasin pikërisht për një interesim të Mançester Junajtid, i gatshëm të ofrojë 22 milion euro për Hulio Sezarin.

Mbrapa krenarisë familjare, qëndron edhe një çështje që ka të bëjë me përshtatjen e kontratës së brazilianit. Marrëveshja midis Interit dhe Hulio Sezarit do të skadojë në 2012-ën, kështu që nuk flitet për kohëzgjatjen, por për rrogën, në qendër të diskutimeve, që prej pak ditësh kanë filluar në zyrat e klubit zikaltër. Hulio kërkon të ketë një trajtim të ngjashëm me Bufonin: domethënë pesë milion euro në vit. Për momentin fiton tre e gjysmë.

 “Eshtë e qartë - ka saktësuar Suzana - që nuk kemi ndërmend të largohemi nga Milano, por në futboll gjithçka mund të ndodhë. Shpresoj që Interi të kuptojë vlerën e burrit tim dhe atë që meriton ai, në mënyrë që të mos tundohet nga klubet e tjerë”. Këto kanë qenë gjërat kryesore të fjalëve të zonjës Sezar. Që, edhe pse pa dashur, i ka hapur një problem Marko Brankës.

Gjithsesi, drejtori teknik i Interit u shpreh shumë i sigurt në lidhje me arritjen e një marrëveshjeje, edhe pse ka lënë të kuptojë se është në dijeni të interesimit nga ana e Mançester Junajtid. “Po punojmë për të gjetur një zgjidhje: shpejt kontrata do të ndryshohet. Nuk shikoj asnjë problem”, tha Branka. Edhe lojtari, i cili është gurmbulluar me kombëtaren braziliane, i ka hedhur ujë zjarrit: “Përgënjeshtroj gjithçka, unë kam një kontratë me Interin”.

Ndërkohë, në Angli flitet për një kalim i Sulei Muntarit tek Totenhemi. Klubi anglez edhe gjatë verës së kaluar ka kërkuar të marë mesfushorin e Interit, por në fund, ish-lojtari i Udinezes nuk ka lëvizur nga Milano. Por, drejtuesit e Totenhemit, në bazë të shtypit britanik, shpresojnë ta bindin lojtarin që në janar të shkojë në Londër.

Ganezi kërkohet me ngulm nga trajneri Herri Rednap, i cili e ka stërvitur mesfushorin kur lunate me Portsmuthin. Kështu, blerja e Shnajderit dhe rikthimi i Kambiasos mund ta shtyjnë Muntarin (i vërshëllyer nga tifozët zikaltër në ndeshjen e të shtunës së kaluar kundër Udinezes) të largohet nga Interi. “Gjithçka mund të ndodhë, dy klubet po diskutojnë për këtë mundësi”, ka thënë menaxheri i lojtarit, Frenk Shreier.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›