Mançester Junajtid, në garën për Bufon
Mançester Junajtid pritet të duelojë me rivalët e qytetit, Mançester Sitin gjatë kësaj vere, për portierin e Juventusit, Xhanluixhi Bufon. E përditshmja torineze "Tuttosport" theksonte se "Djajtë e Kuq" janë shfaqur të interesuar për shërbimet e pjesëtarit të Kombëtares italiane dhe Sër Aleks Ferguson ka projektuar planin, me të cilin do ta afrojë portierin në "Olld Traford" gjatë merkatos së ardhshme. Gazeta nuk harronte të nënvijëzonte se vetëm pak kohë më parë, bardhezinjtë kanë marrë një ofertë zyrtare nga Anglia. Bëhet fjalë për Mançester Sitin, që me mbështetjen e sheikëve arabë, ishin të gatshëm të bënin çmenduri për Bufon. Gjatë janarit, drejtuesit e klubit në Istlends provuan fatin, gjithsesi tentativa e tyre për të afruar "gardianin" nuk ishte e suksesshme. Juventusi do të ishte i gatshëm ta shiste numrin 1 në rast se në zyrat e klubit vjen një ofertë me vlerë 70 milionë euro. I pari që "hapi rrugën" për transferimin e mundshëm të Bufon ishte menaxheri Silvano Martina, i cili konfirmoi se lojtari mund të ndryshojë skuadër nëse çmimi është ai i duhuri. Burimet pranë klubit italian konfirmojnë se portieri mund të largohet "pasi paratë e fituara nga shitja e tij do të shërbenin për të përforcuar ekipin në repartet e tjera". Presidenti Koboli Xhilji ka thënë: "Nëse ndonjë klub do të paraqitej me këtë lloj oferte, do të ishte çmenduri nëse nuk do ta shqyrtonim". Të njëjtën gjë e ka pranuar edhe "gardiani": "70 milionë? Nëse do të isha në vend të Juves, do ta kisha pranuar". Zërat për kalimin e ish-futbollistit të Parmës te Junajtid, kanë filluar ta shqetësojnë portierin aktual, Edvin van der Sar. Në fakt, pas tetë vjetësh, ai rrezikon të humbasë sërish vendin në skuadrën ku luan për shkak të Bufonit. Gjithsesi, në garë qëndron edhe Barcelona. Viktor Valdes pretendon rrogë më të lartë, ndërsa Laporta nuk pranon. Nëse palët nuk gjejnë një rrugë të mesme, katalanët e shohin "axurrin" si një alternativë të vlefshme.
Por, qetësia te Juventusi nuk është prishur vetëm prej zërave rreth së ardhmes së Bufon. Një debat i ashpër i Pavel Nedved me Alesandro del Pieron ka prishur harmoninë në skuadër. Gazeta "Leggo" theksonte se çeku ka reaguar ashpër, sepse kapiteni nuk i pasoi një top dhe aty për aty filluan replikat e ashpra.
Por, qetësia te Juventusi nuk është prishur vetëm prej zërave rreth së ardhmes së Bufon. Një debat i ashpër i Pavel Nedved me Alesandro del Pieron ka prishur harmoninë në skuadër. Gazeta "Leggo" theksonte se çeku ka reaguar ashpër, sepse kapiteni nuk i pasoi një top dhe aty për aty filluan replikat e ashpra.