E Diel, 1 Nëntor 2026

Zidan: Florentino Perez do ta kthejë Realin te lavdia

Ish-fantazisti i Realit të Madridit, Zinedin Zidan, është shfaqur sërish në publik, duke konfirmuar mbështetjen për Florentino Perez, kandidatin potencial për të marrë drejtimin e klubit. Tashmë, francezi jo vetëm që ka dalë në mbështetje të Perezit, por beson se ai do t‘i habisë të gjithë. "Florentino është si një magjistar, nëse hyn në garë për presidencën, të gjithë duhet të presin surpriza", i tha Zizu mikut të tij Kristof Dugarri në valët e televizionit "Canal Plus". "Realit të Madridit i nevojitet një drejtues ambicioz, i cili dëshiron ta kthejë klubin sërish në majat e futbollit". 36-vjeçari zbuloi edhe disa nga bisedat private me Perez, duke vënë në dukje cilësitë e tij. Ai deklaroi: "Kur firmosa kontratën me Realin, i thashë se oferta që bëri për mua (66 milionë euro) ishte shumë e lartë. Megjithatë, ai nuk e mendonte në këtë mënyrë. M‘u përgjigj ‘Nëse do të kisha në dispozicion më shumë para, do t‘i kisha ofruar pa hezitim‘. Kjo është politika e tij, kur Florentino e dëshiron diçka, ai e merr. Më pas realizova golin në finalen e vitit 2002 në Champions dhe pas ndeshjes më tha: ‘Me atë gol i rikuperova të gjitha shpenzimet‘". Rreth mundësisë për t‘u kthyer në "Bernabeu", këtë radhë si drejtues, Zidan u shpreh: "Ndihem gati të kthehem në futboll".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›