Festat, shtohen radhët e emigrantëve në Kapshticë e Kakavijë
Fluksi, mbi 6 mijë emigrantë vetëm 24 orët e fundit
Radha 1.5 km, pala greke punon vetëm me 2 sportele
Rikthehen radhët në pikat e kalimit kufitar me Greqinë. Ashtu si dhe gjatë pushimeve të verës, edhe tashmë në prag të festave të fundvitit, në pikat doganore të Kapshticës dhe Kakavijës janë shënuar radhë kilometrike të automjeteve që presin të futen në tokën shqiptare. Autobusët apo makinat e mbushura me emigrantë janë nisur qysh dy net më parë nga qytetet ku banojnë, por u është dashur të qëndrojnë me orë të tëra në pritje në tokën greke për të kaluar për në tokën shqiptare. Nga të dhëna emigrantësh, por edhe nga burime zyrtare nga policia e qytetit të Korçës, 1.5 kilometra ka arritur vargu i makinave në pikën doganore të Kapshticës në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Mësohet se shkak për situatën e krijuar është bërë pala greke, e cila punon vetëm me dy sportele, një prej të cilëve u shtua mëngjesin e djeshëm. Vetëm në orët e para të mëngjesit të djeshëm hynë mbi 1.200 emigrantë. Ditët e fundit është rritur fluksi i emigrantëve që kthehen në atdhe si çdo vit për të kaluar festat e fundvitit. Nga pala shqiptare shërbehet me 4 sportele, ku dy prej tyre u shtuan mëngjesin e djeshëm. Ndërkohë që nga pala greke po punohet vetëm me dy sportele. Nga kontaktet midis homologëve gjatë fillimit të kësaj jave, nga pala greke u premtua se do të shtohet numri i sporteleve për të shmangur radhët, por ky premtim nuk është mbajtur dhe vazhdon të mos mbahet ende. Fluksi i emigrantëve është shtuar ndjeshëm mëngjesin e djeshëm. Me sa duket, as 2008-a nuk do t’u shpëtojë problemeve që ndodhin rëndom çdo fund, mes apo fillim viti në pikat e kalimit kufitar drejt tokës helene. Pak ditë më parë, autoritetet lokale premtuan marrjen e masave për krijimin e lehtësirave për emigrantët që kthehen në Shqipëri dhe shmangien e radhëve në kufi. Sipas të dhënave zyrtare të policisë, si çdo vit, sa herë që ka fluks emigrantësh drejt vendit tonë, pala shqiptare shton sportelet, për të mos krijuar radhë të gjata dhe për t’u lehtësuar ardhjen apo kthimin emigrantëve shqiptarë. Nga Policia Doganore e Kapshticës mësohet se vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë 6.450 emigrantë dhe 1.200 mjete. Vetëm gjatë kësaj jave në këtë pikë kalimi kanë hyrë në tokën shqiptare mbi 10.000 emigrantë. Ndërkohë numri i personave të deportuar gjatë ditëve të fundit ka shënuar rënie. Mesatarisht janë kthyer 20-30 persona që kanë hyrë në mënyrë klandestine në Greqi.
Detaje
6 mijë emigrantë mësohet të kenë hyrë gjatë 24 orëve të fundit në tokën shqiptare përmes pikës doganore të Kapshticës
1.5 km ka qenë radha e automjeteve që prisnin në tokën greke për të hyrë në Shqipëri
10 mijë emigrantë kanë hyrë gjatë kësaj jave në vendin tonë për të kaluar festat e fundvitit