Manchester United, plan investimesh 3 miliardë paund

Manchester United ka paraqitur një plan të ri investimesh në infrastrukturë, ku përfshihen përmirësimi i Old Trafford dhe ndërtimi i një stadiumi të ri. Por kjo dëshirë e klubit momentalisht është pezulluar për shkak të situatës së pasigurt të pronësisë së United. Familja Glazer, e cila bleu United për 790 milionë paund në 2005, e ka hedhur në treg atë në nëntor. Sipas Mirror Football familja po kërkon deri në 8 miliardë paund për ta shitur klubin.
Njeriu më i pasur i Britanisë, Sir Jim Ratcliffe, i cili është edhe tifoz i Manchester United, ka dhënë ofertën e tij por ai e ka quajtur çmenduri shifrën prej 8 miliardë që kërkon familja Glazer. Një nga arsyet kryesore të mosmarrëveshjes mes tifozëve dhe pronarëve të United në vitet e fundit ka qenë mungesa e investimeve në shtëpinë e tyre në Old Trafford, e cila duket e vjetëruar dhe kërkon një rinovim të madh për ta sjellë atë në përputhje me stadiumet moderne dhe elitare në të gjithë Evropën.
United ka dy mundësi për të ardhmen: një përmirësim i Old Trafford – shtëpia e klubit për 112 vitet e fundit – ose të ndërtojë një stadium të ri, i cili do të kishte një kosto më të lartë, por do të sillte edhe avantazhe të tjera duke përfshirë disa mundësi financiare.
E mira është të realizohen të dyja, por ky investim kërkon 3 miliardë paund. E çdo vendim i rëndësishëm për të ardhmen e klubit, duke përfshirë transferimet dhe infrastrukturën janë pezulluar derisa të sqarohet e ardhmja e klubit.