Mancini debuton me fitore

Roberto Mancini e ka filluar me fitore aventurën e tij në postin e menaxherit të Manchester Cityt. Ekipi i tij fitoi 2-0 ndaj Stoke City të shtunën, duke arritur fitoren e parë në shtëpi në ndeshjen debutuese të tyre me Mancinin.
Golat për ekipin nga Eastlands i shënuan mesfushori Martin Petrov në minutën e 28-të dhe sulmuesi argjentinas Carlos Tevez (45). Strategu italian mori drejtimin e ekipit në fillim të kësaj jave pas shkarkimit të Mark Hughes.
Mancini ishte pritur ngrohtë nga tifozët e Manchester Cityt para fillimit të takimit dhe fitorja e tij e parë ka gëzuar pronarin Khaldoon al-Mubarak dhe drejtorin ekzekutiv Garry Cook.
“Për mua sot ishte një ndeshje e mirë. Futbollistët ishin të shkëlqyeshëm sepse Stoke është ekip i fortë. Për mua në javën e parë në rregull. Balanci është i rëndësishëm. Shay Given për mua është portieri më i mirë në Angli dhe në mesin e pesë më të mirëve në botë. Sot ai bëri punë të mirë.
Robinho luajti mirë, por pas 70 minutave ishte i lodhur dhe e kam zëvendësuar me Bellamyn. Por, ai bëri punë të mirë”, deklaroi Mancini. Me këtë fitore, Manchester City gjendet në pozitën e gjashtë me 32 pikë nga 18 ndeshje.