Gashi e Karpuzi, më të fortit
Federata e Karatesë e Kosovës (FKK), të shtunën në Prishtinë i ka shpallur laureatët e saj për vitin që po e lëmë pas. Karateisti më i mirë i vitit në kategorinë e seniorëve në konkurrencën e meshkujve është shpallur Ylli Gashi, anëtar i klubit Kosova.
Ndërsa, në këtë kategori, por në konkurrencën e femrave, karateistja më e mirë për vitin 2009 nga FKK-ja është shpallur Gentiana Karpuzi, anëtare e klubit FAN. Pas Ylli Gashit, në kategorinë e seniorëve nga FKK-ja janë shpërblyer edhe nëntë karateistët e tjerë më të dalluar për këtë vit.
FKK-ja po ashtu edhe në konkurrencën e femrave, pas Gentiana Karpuzit, i ka shpallur nëntë karateistet e tjera më të dalluara. Ndërsa karateisti më i mirë në kategorinë e juniorëve është zgjedhur Herolind Nixhevci, kurse në konkurrencën e femrave ky epitet i ka takuar Nita Nikçit.
FKK-ja i ka shpërblyer edhe karateistët më të mirë të vitit në kategorinë e kadetëve dhe të pionierëve, në të dyja konkurrencat. Kurse, trajneri më i mirë për vitin 2009 është shpallur Safet Ramadani, ndërkaq trajnerja më e mirë për rezultatet ndërkombëtare është zgjedhur Shqipe Zogiani.
Punëtori më i dalluar sportiv u shpall Maliq Maliqi. FKK-ja klubin më të suksesshëm kosovar për vitin 2009 e ka shpallur Ilirinë nga Prishtina.