E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Mandarina me pesticide, Jorgaqi për ATSH-në: AKU asgjësoi tri ngarkesat e kthyera, ekspertët në terren për vlerësimin e situatës

TIRANË, 20 dhjetor /ATSH/ Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka asgjësuar plotësisht të tri ngarkesat me mandarina të eksportuara jashtë vendit, që u kthyen mbrapsht për shkak të mbetjeve të pesticideve mbi normat e lejuara.

Drejtori i Menaxhimit të Riskut në AKU, Martin Jorgaqi, në një prononcim për ATSH-në, bëri të ditur se “dy ngarkesa janë asgjësuar në Shqipëri, njëra dje, ndërkohë që tjetra është asgjësuar para kësaj. Ngarkesa e tretë është asgjësuar në Kroaci, pasi nuk ka ardhur në Shqipëri”.

Sipas tij, AKU po ndjek me përparësi monitorimin e tregut sa i takon sigurisë ushqimore, ku vëmendje e shtuar po i kushtohet kontrollit të mandarinave.

“Në terren janë grupet e ekspertëve për analizimin dhe vlerësimin e situatës, si dhe për koordinimin dhe ndjekjen e veprimeve proceduriale në secilën hallkë të zbatimit të kontrollit. Monitorimi është shtrirë në pikat e grumbullimit, tregjet e shitjes me shumicë dhe njësitë tregtare. Vetëm në 24 orët e fundit janë inspektuar mbi 20 pika grumbullimi”, tha Jorgaqi.

Ai deklaroi se, “tregu është i sigurt dhe monitorimi për mbrojtjen e konsumatorit është prioritet i punës së pandalshme të AKU-së”.

Jorgaqi u bëri apel prodhuesve që të përmbushin detyrimet ligjore, si dhe të respektojnë praktikat e mira të punës në gjithë zinxhirin e prodhimit për të garantuar prodhim vendas të sigurt për konsumatorin shqiptar dhe tregjet ndërkombëtare. /j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›