E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mandati i Altin Dumanit drejt përfundimit, KLP hap zyrtarisht garën për kreun e ri të SPAK deri më 8 tetor

Këshilli i Lartë i Prokurorisë hapi zyrtarisht garën për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), tre muaj para përfundimit të mandatit të drejtuesit aktual Altin Dumani.

Në mbledhjen e sotme (17 shtator), anëtarët e KLP-së shpallën vendin vakant dhe caktuan një afat 3-javor për paraqitjen e dokumentacionit të kandidatëve, deri më 8 tetor 2025.

Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve ekzistues të SPAK-ut për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi.

Altin Dumani është drejtuesi i dytë i SPAK-ut që nga krijimi i institucionit, pas Arben Krajës. Në një intervistë për RTSH, Dumani konfirmoi vitin e kaluar se do të vijojë të jetë prokuror pranë kësaj strukture dhe se “do të kem më shumë mundësi të jem në sallën e gjyqit, që unë e dua shumë“. Altin Dumani u zgjodh për të qenë në krye të Prokurorisë së Posaçme më 16 dhjetor 2022.

Në mbledhjen e sotme, morën pjesë anëtarët e KLP-së, përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme, përfaqësues të lartë nga Ambasada Amerike, Ministria e Drejtësisë, si dhe nga projektet EU4Justice dhe Programi OPDAT.

Përveç shpalljes së garës për drejtuesin e SPAK-ut, në rendin e ditës ishte edhe miratimi i procesverbalit të mbledhjes së mëparshme, si dhe diskutimi dhe miratimi i projektraporteve të vlerësimit etik dhe profesional për prokurorët Françesk Ganaj, Ermira Manelli dhe Hysni Mulaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›