Mandati i “Berisha 3”: Rroga minimale, 350 dollarë, kurse rroga mesatare 700 dollarë
Mazhoranca mbyll fushatën elektorale në Fier, Berat e Lushnje me pjesëmarrje masive në mitingje, prej dhjetëra mijë vetash. Fryma e një triumfi lexohet jo vetëm tek oratorët, por edhe tek ndikimi që ka pasur një plan 4-vjeçar investimesh ambicioze
> Berisha, pensionistëve: Jo pensione nën 150 dollarë, do subvencionojmë energjinë elektrike
>Akuzat e kryeministrit/Rama me vilë e pallat dhe s’tregon pasurinë. Ndahet dhe martohet sa herë ka zgjedhje, s’është model për shqiptarët
Partia Demokratike zhvilluar dje pasdite mitingun përmbyllës elektoral në qytetin e Fierit dhe Beratit. Kreu i qeverisë Sali Berisha ka kërkuar votën e qytetarëve fierakë për një mandat të ri që synon të rrisë mirëqenien. Shefi i mazhorancës premtoi se mandatin e ardhshëm rroga minimale do të rritet në 350 dollarë, ndërsa rroga e mësuesit dhe rroga mesatare do të arrijnë në 700 dollarë. “Jam sot tek ju për tu zotuar para jush, para mbarë shqiptarëve se gjatë mandatit të ardhshëm në Shqipëri rroga minimale do të rritet në 350 dollarë, rroga e mësuesit dhe rroga mesatare do arrijë në 700 dollarë. Jam sot për të garantuar çdo të ri se gjatë mandatit të ardhshëm dyert e universiteteve do vazhdojnë të hapura për të bërë realitet ëndrrën e tyre universitare, do hapen shkolla të tjera profesionale në mbarë vendin. Të rejat dhe të rinjtë 4 vitet që vijnë për çdo njërin prej jush që do punësohet qeveria do paguajë kontributet ndaj sipërmarrësve për 3 vjet. Qeveria do financojë kualifikimin tuaj falas në çdo sipërmarrje që ju do shkoni. Do financojmë kredi të buta për vetëpunësim. Në Shqipëri do krijohen 250 mijë vende pune për fierakët dhe mbarë shqiptarët. Ftoj socialistët e Fierit të bashkohen me ne pasi, 4 vitet që vijnë nuk do ketë pension më të ulët se 150 dollarë. Qeveria do marrë përsipër shpenzimet e ilaçeve për pensionistët, subvencion për transportin urban, do përballojë me buxhetin e asaj 90% të të gjitha shpenzimeve në shtëpitë e kujdesit të të moshuarve. Garantoj qytetarët me ndihmë ekonomike se do rritet në masën 50% dhe se çdo pagesë jo vetëm do indeksohet me rritjen vjetore të çmimeve, por do jetë dy herë më e lartë se sa ajo”- u shpreh Berisha. Më tej kreu i ekzekutivit ftoi edhe emigrantët e biznesmenët që të votojnë Partinë Demokratike, duke u premtuar lehtësira në krijimin e bizneseve të tyre, ndërsa theksoi se gjatë këtyre viteve premtimet e PD-së kanë qenë një realitet i prekur dhe ndjerë ato kudo. “Ftoj emigrantët të votojnë PD, sepse bizneset e tyre do jenë 3deri 5 vjet pa asnjë detyrim fiskal. Nëse duan të ndërtojnë ferma, çdo projekt i tyre do financohet me grante. Ftoj biznesmenët e Fierit të bashkohen me projektin tonë, i garantoj për ulje të mëtejshme të taksave, për partneritet sipërmarrës, publik, privat në të gjithë sektorët. Kualifikim falas të punëtorëve të tyre. Ftoj fermerët se do trefishojmë grantet. Ka filluar dhe do vazhdojë pagesa e akcizës së naftës e plehrave kime, çdo gjë që përdorim për prodhimin në bujqësi. Ftoj qytetarët e Fierit dhe mbarë Shqipërisë të bashkohen me ne për të votuar projektin e infrastrukturës më moderne, rrugë, ujësjellës, kanalizime, sistem të ri vaditës, shkolla të reja dhe të rindërtuara, qendra shëndetësore”- tha ai. Mosdeklarimin për të ardhurat kryeministri Berisha ia përmendi kryesocialistit Edi Rama edhe nga qyteti i Fierit, ndërsa e akuzoi atë se mohon arritjet e shqiptarëve. “Mos i fyej shqiptarët duke iu mohuar arritjet e tyre. Ato nuk janë arritjet e Sali Berishës, por të djersës së qytetarëve shqiptarë. Mos moho arritjet e tyre. Zoti Rama, unë me qytetarët e Fierit, mbarë shqiptarët vendosim para së gjithash respektin ndaj njëri-tjetrit, na bashkon respekti për familjen. Ti martohesh dhe ndahesh në prag të zgjedhjeve, ky nuk është modeli që iu ofrohet shqiptarëve. Jetoj në një apartament 125 metra katrorë, kam të deklaruar çdo qindarkë dhe çdo burim të të ardhurave të mia, thuaju shqiptarëve për të ardhurat e tua, është e domosdoshme transparenca publike për figurat publike”- deklaroi kryeministri Sali Berisha nga qyteti i Fierit.
...