E Shtunë, 31 Tetor 2026

Medalja e Shqipërisë për Ramsfeldin shkakton habi

pres-nishani-donald-rumsfeld-3Koha e vendimit për ti dhënë ish- Sekretarit të Mbrojtjes, Ronald Ramsfeld medaljen e Urdhrit të Flamurit, për mbështetjen e tij për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ka ngritur pikëpyetje

Nga Besar Likmeta, BIRN

Ju jeni të lidhur ngushtësisht me mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë për anëtarësimin në NATO, tha presidenti shqiptar, Bujar Nishani, gjatë një ceremonie për dekorimin.

Shqipëria, së bashku me Kroacinë, u bashkuan me NATO-n në vitin 2009, me mbështetjen e fortë të administratës së ish- presidentit, Xhorxh Bush. Ramsfeld ishte Sekretari i Mbrojtjes nga viti 2001 deri në vitin 2006.

I vlerësuar si një nga anëtarët me më shumë ndikim në administratën e Bushit, Ramsfeld është përballur me kriticizëm të fortë për rolin e tij në pushtimin e Afganistanit dhe për luftën e vitit 2003 në Irak.

Ramsfeld mbërriti në Tiranë të hënën me ftesë të liderit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, një aleat i vogël i koalicionit të qendrës së djathtë të kryeministrit Sali Berisha.

Mediu është një personazh kontrovers në Shqipëri. I akuzuar për abuzim me detyrën për rolin e tij si Ministër i Mbrojtjes në shpërthimin tragjik në fshatin e Gërdecit më 15 mars 2008, ai nuk u gjykua kurrë, duke përdorur imunitetin e tij parlamentar si mbrojtje për të shmangur akuzat.

Shpërthimi i marsit 2008 në depot e demontimit të municionit në fshatin e Gërdecit vrau 26 njerëz, plagosi më shumë se 300 dhe la pa shtëpi 3 mijë njerëz.

Megjithatë, duke folur në një konferencës për NATO-n, të hënën në mëngjes, Ramsfeld i vlerësoi të dy, si Mediun, ashtu edhe Berishën.

Kryeministri Sali Berisha është një aset i çmuar dhe Mediu gjithmonë duket si një djalë i ri, tha Ramsfeld.

Socialistët në opozitë kanë deklaruar se kjo vizitë është një marifet politik, i organizuar nga kompanitë lobiste, me qëllim për të shtuar vlerësimet për Mediun dhe Berishën përpara zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.

Vizita e Ramsfeld sot në Tiranë është e lidhur ngushtësisht me fushatën zgjedhore, shkroi në Facebook deputeti socialist, Auron Tare.

Kjo vizitë është organizuar nga lobistët amerikanë të Partisë Demokratike dhe ajo që nuk dimë është sa ka qenë çmimi dhe nëse pagesa është bërë nga fondet publike, shton ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›