Mandati i Rames drejt skandences

Partia Socialiste rrezikon të mbetet pa kryetar.
Të paktën zyrtarisht Edi Ramës mandati 4-vjeçar i mbaron më 26 shtator. Afatet i përcakton neni 29 i Statutit të partisë. Por për momentin, socialistët nuk duken aspak të angazhuar për të zgjedhur apo konfirmuar kryetarin e tyre.
Statuti i socialistëve përcakton se kur vendi i numrit një të partisë mbetet vakant, Asambleja Kombëtare duhet të mblidhet brenda 15 ditësh. Por kryetari i kësaj Asambleje, Gramoz Ruçi, i kontaktuar nga "ABC News", sqaroi se deri tani nuk është planifikuar asnjë mbledhje. Edhe sekretari organizativ, Blendi Klosi, interesit të gazetarëve, i është përgjigjur duke ngritur shpatullat.
Pavarësisht se kur dhe si do të kryhet, rizgjedhja e Ramës duket më shumë një formalitet. Asnjë kandidaturë për momentin nuk është vendosur përballë kryetarit aktual. Fitorja e koalicionit të majtë në zgjedhjet e 23 qershorit, e bën shumë të vështirë rivalitetin me Ramën. Ky i fundit nuk duket i shqetësuar. Kryesocialisti nuk do të jetë në Shqipëri kur t’i mbarojë mandati. Në fund të shtatorit ai është ftuar në SHBA nga ish-presidenti Bill Clinton në konferencën për iniciativën globale organizuar prej tij.
Kjo do të jetë gara e peste e Ramës për kreun e PS-së. Nga 4 të parat, vetëm njërën ka humbur, në vitin 2003 kur kandidoi përballë Fatos Nanos dhe Rexhep Meidanit. Dorëheqja e Nanos në 2005 e vuri përsëri përmballë ish-presidentit të republikës Meidani, të cilin e mundi duke për herë të parë kryetari i socialistëve. Mandati i nisur nga Nano gjithsesi skandonte në 2007, vit kur Rama u përballë dhe fitoi ndaj Shkëlqim Metës. Ishte hera e parë që PS aplikoi parimin “një anëtar një votë”. Edhe ky mandat nuk i zgjati shumë pasi në 2009 dha dorëheqjen pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme, por rikandidoi duke fituar ndaj Maqo Lakrorit.