Mandati i Seserit, Berisha: Opozita ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Sali Berisha
Kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së ka folur për çështjen e mandatit të deputetes së PS-së, Rudina Seserit.
Ka një muaj që kreu i PS-së në mënyrën më absurde, nuk po përdor fjalë tjetër, e akuzon këtë maxhorancë, këtë kryeministër, këtë kryetare Kuvendi, se po vjedhin mandatin e Seserit. Ky e bën në një mënyrë shumë të paskrupullt, se ai e ka të qartë që mandati nuk mund të merret. E bën këtë, se e serviri zonjën Seseri, si star dhe i tha mirupafshim se dua të fitoj diku tjetër një bursë,- u shpreh Berisha.
Berisha tha gjithashtu se, vendi ka ligje dhe Kushtetutë dhe se ato do të respektohen pavarësisht qëndrimeve të kryetarit të opozitës. Kreu i qeverisë tha se, Kuvendi nuk mund të bëhet gjykatë dhe se për këtë çështje i duhet drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Bardhi nuk kishte pengesë t’i bënte me shkrim KQZ-së kërkesën ku t’i thoshte se unë po garoj për kryetar bashkie, ndaj dhe jap dorëheqjen si kandidat për deputet. Me 13 janar, KQZ-ja votoi mandatin e z.Bardhi. Më pas, ai paraqiti dorëheqjen. Por tani është me dy mandate. Shteti ligjor ka mekanizmat e tij. Rama kërkon të bëjmë gjykatës Komisionin e Rregullores në Parlament, që nuk ka asnjë tagër përveç se për tiu drejtuar Kuvendit. Unë kërkoj ta shqyrtojmë në Gjykatën Kushtetuese,- nënvizoi kreu i PD-së.
* * *
Mandati i Seserit mund të mbahet “peng” deri në 90 ditë

Rudina Seseri
Partia Socialiste që prej dorëzimit të mandatit nga ana e deputetes së qarkut të Durrësit, Rudina Seseri, vazhdon të përfaqësohet në Kuvend me një deputet më pak nga numri që fitoi në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Debati mes PS-së dhe kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ka të bëjë me procedurat. Kjo, për shkak se Topalli, pretendon që mandati i Seserit, sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i kalon Gjon Bardhit. Ky i fundit, e ka refuzuar mandatin duke preferuar që të qëndrojë në krye të Bashkisë së Krujës (mandat të cilin e fitoi në zgjedhjet e 8 majit).
Nga ana tjetër, PS-ja pretendon se, kjo është çështje e zgjidhur dhe se mandati duhet t’i kalojë personit që në listën e kandidatëve vjen pas Bardhit, që në këtë rast i takon Edison Konomit. Në këtë pikë, sipas Topallit, çështja duhet ankimuar në Gjykatën Kushtetuese pasi sipas saj, KQZ-ja ia ka dhënë mandatin Bardhit, pretendim i cili është i pambështetur ligjërisht.
Damian Gjiknuri, në një deklaratë për shtyp është shprehur se, kemi të bëjmë me një rast të paprecedentë, pasi nënvizon ai, mandati duhet t’i kalojë automatikisht kandidatit në pritje.
Ndërkohë, Kodi Zgjedhor , i miratuar me konsensusin e dy partive të mëdha në fund të vitit 2008, parashikon në nenin 162, pika 2: Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës së parashikuar në pikën 1 të këtij neni (Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës. Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse). E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike”.
Kjo do të thotë se, me vullnet të keq Topalli mund të shtyjë procedurën në një limit deri në 90 ditë nga dorëzimi i mandatit nga ana e Seserit. Çështja është e nxehtë për shkak se po afron periudha për zgjedhjen e presidentit të ri dhe të dy partitë këtë çështje proceduriale e kanë kthyer në debat dite. Kujtojmë se, Seseri ka hequr dorë publikisht nga mandati në fillim të muajit janar (12 janar). /F.Stafa/